Pyetja:

Ne jemi jemi disa vëllezër dhe e trashiguam një ndërtesë e cila është e destinuar për veprimtari të ndryshme tregtare. Një bankë e cila punon me kamatë na ofroi që t’ia japim një pjesë fare të vogël të kësaj ndërtese me qira, me qëllim që të ven një bankomat. Për atë, ju drejtohemi ju që të na jepni fetva se a lejohet që t’ia japim me qira këtë pjesë të vogël të ndërtesës kësaj banke për qëllimin në fjalë?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Islami e ka ndaluar në mënyrë të prerë dhe të rreptë kamatën, ashtu që në Islam nuk ka kërcënim për ndonjë mëkat, sikur që ka për kamatën. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata.
E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk heqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj – askë nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.
Bekare: 278279

Poashtu, i Dërguari i Allahut ﷺ i ka mallkuar ata që e hanë kamatën, ata që e japin, ata që e shkruajnë kontratën e kamatës dhe dëshmitarët që e dëshmojnë këtë kontratë. [1]

Kjo, ngase metodologjia juridike e Islamit konsiston në atë që kur ndalon diçka, i ndalon edhe të gjitha gjërat që e ndihmojnë atë ndalesë dhe të gjitha rrugët që çojnë tek ndalesa përkatëse. Në këtë mënyrë ia ngushton deri në maksimum rrethin haramit.

Së këtejmi, muslimani nuk e ka të lejuar që ta ndihmojë një bankë e cila punon mbi bazën e kamatës (bankë joislame) duke i dhënë me qira një objekt të tërë, apo një pjesë nga objekti, ngase kjo është ndihmesë për mëkat. Në veçanti, nëse muslimani e ka gjendjen e mirë materiale dhe ka mundësi që objektin përkatës ta jep me qira për një veprimtari të lejuar e të padyshimtë nga aspekti fetar, nuk duhet as të mendojë për diçka të këtillë. Në një hadith të të Dërguarit të Allahut ﷺ qëndron: ”Braktise atë që të bën të dyshimtë, dhe bëre atë që nuk të fut në dyshim”. Poashtu, në një hadith tjetër ka thënë: ”Kush ruhet prej dyshimeve, e ka mbrojtur fenë dhe nderin e tij.” [2]

E lus Allahun e Lartmadhërishëm që t’jua bëjë të mjaftueshme të lejuarën në vend të të ndaluarës, t’ju udhëzojë në atë që është në përputhje me fenë e t’ju largojë nga mëkatet dhe t’ju begatojë nga mirësitë e Tij e mos të keni nevojë për kurrgjë.

Dr. Jusuf el-Kardavi “Fetva bashkëkohore” III

Përktheu: Bashkim Aliu

——————–

[1] Tirmidhiu-hasen sahih

[2] Buhariu dhe Muslimi