Pyetja:

A bën të përdoret parfumi, pomada e të ngjashme, të cilat kanë përbërje alkooli?

***

Përgjigjja:

Përdorimi i parfumeve që kanë përbërje alkoolit lejohet, për tre shkaqe:

I pari: Alkooli i përdorur në parfume, pomada etj., është i tretur apo i asgjësuar, sepse ka kaluar nëpër procese kimike dhe tashmë ai nuk quhet alkool apo nuk ka mbetur diçka nga alkooli. Për këtë shkak ai alkool quhet alkool medicinal apo kimik dhe si i tillë lejohet përdorimi i tij.

I dyti: Ky lloj alkooli nuk është si llojet e alkoolit të përgatitura për pije.

Nuk duhet harruar fakti se disa dijetarë kanë thënë se alkooli i përgatitur për pije si vera etj., nuk është i ndytë apo i papastër, siç mendon Rebia, pastaj Sa’d bin Lejthi, El-Muzenij dhe disa dijetarë të tjerë të mëvonshëm. Për fjalën (ndyrësirë) e cekur në ajetin kur‘anor:

“O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar” (Maide: 90), kanë thënë se është ndyrësirë nga ana kuptimore dhe jo nga ana reale.

I treti: Përdorimi i alkoolit, i kolonjës e të ngjashme sot është përhapur me të madhe në mjekësi, në procese të ndryshme kimike, apo në tretjet kimike, në parfume, yndyra për trup etj., andaj të gjykuarit për to se janë haram apo të ndaluara është ngarkesë e rëndë për muslimanët, e Allahu nuk do që t’ua rëndojë çështjen muslimanëve, por do t’ua lehtësojë:

“Allahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.“ (Bekare: 185)

Andaj konsideroj se përdorimi i atyre parfumeve dhe yndyrave të tjera për trup që kanë përbërje alkooli është i lejuar, edhe pse mospërdorimi i atyre substancave është më i preferuar.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi