Pyetja:

Çka duhet të bëjë një njeri në momentin kur hyn në shtëpi të re?

***

Përgjigja:

Mundësia për posedimin e shtëpisë është prej begative të kësaj bote për të cilën duhet falënderuar Allahu i Madhërishëm. Nuk ka ndonjë rregull të veçantë që duhet të bëhet me rastin e hyrjes në shtëpi të re. Pra, njeriu është i lirë ta shfaqë gëzimin e tij me të gjitha format e lejuara që nuk janë në kundërshtim me rregullat e Islamit.

Besimtari duhet të ketë kujdes që çdo herë kur hyn në shtëpi ta respektojë edukatën islame. Kur hyn në shtëpi ta përmendë emrin e Allahut (të thotë Bismil-lah, me emrin e Allahut), të japë selam edhe në rastet kur nuk është askush në shtëpi, të lexojë Kur’an sa më shumë, e posaçërisht suren Bekare etj. Pejgamberi [ﷺ] ka thënë: “Mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varre, ngase shejtani ikën nga shtëpia në të cilën lexohet surja Bekare.” [1]

Gjithashtu Pejgamberi [ﷺ] ka thënë: “Shembulli i shtëpisë në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpisë në të cilën nuk përmendet Allahu është si shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” [2]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (780) 212.

[2] Muslimi, nr. (779) 211.