Pyetja:

Djali nuk do që të flasë. Edhe pse di dhe kupton shumë, ai nuk po flet. Si të veprojë?

***

Përgjigjja: 

Fëmijët dhe çdo mirësi që na ka dhënë Allahu i Madhëruar në këtë botë, janë përgjegjësi e madhe me të cilën Ai na ka ngarkuar në këtë jetë, për të na provuar a do veprojmë me to sipas udhëzime lumturuese të Zotit tonë të Gjithëdijshëm, që janë i vetmi burim i lumturisë së përdybotshme tonës dhe fëmijëve tanë. Për këtë përgjegjësi do të japim llogari (do të gjykohemi) në botën tjetër dhe do të marrim shpërblimin ose ndëshkimin përkatës.

Kurse shqetësimi juaj është i pavend, pasi duket qartë se çështja e fëmijës suaj është e një natyre të ndryshme nga ajo e dyshuar. Ajo ka të bëjë me tipet e fëmijëve, periudhat e zhvillimit dhe kapacitete e tyre, të cila janë shumë të ndryshme, sidomos në vitet e para të jetës së tyre. Në kapacitetet në fjalë hyjnë padyshim edhe kapacitetet e të folurit të fëmijës dhe hapja e tij me njerëzit rreth e rrotul; madje studiuesit theksojnë faktin pozitiv se deri para moshës 3 vjeçare fëmija nuk arrin t’i logjikojë dhe arkivojë sjelljet e vrazhda që ndodh të bëhen në dëm të tij. Më konkretisht, specialistët theksojnë se zhvillimi i të folurit apo aspektit gjuhësor tek fëmijët, nuk duhet të bëhet kurrsesi burim shqetësimi, sepse e tillë gjë është e ndryshme nga një fëmijë tek tjetri, sidomos në rastin e djemve, aftësia e të folurit të të cilëve vjen natyralisht më me vonesë dhe kjo ndodh më dendur sidomos në rastin e fëmijës që nuk ka kontakt të shpeshtë me fëmijë të tjerë dhe jeton në një familje të vogël me pak anëtarë (vetëm me dy prindërit).

Realisht, fëmijët me zhvillim të prapambetur janë shumë të pakët, sidomos kur bëhet fjalë për prapambetjen në aspektin e njohurive dhe nivelin e zgjuarsisë. Ndërsa në rastin kur tek fëmija hetohen shenja të qarta prapambetje, sa më i hershëm të jetë ekzaminimi dhe trajtimi i fëmijës, aq më mirë do ndikojë kjo në kapërcimin e problematikave të tij të mundshme.

Bazuar në shenjat që ju përmendi, fëmija juaj është shëndoshë e mirë dhe me të dhëna krejt normale. Ndoshta ai është fëmija yt i parë dhe ju si nënë e re, i jeni bashkëngjitur në këtë eksperiencë të parë një numri të konsiderueshëm nënash, të cilat kanë shumë pështjellime në lidhje me porblematikat e fëmijës së tyre të parë… Ndoshta fakti që vogëlushi juaj nuk flet, ka më shumë arsye rrethanore sesa psikike, të cilat në mesin e specialistëve njihen me terminologjitë “problematika e vetmisë ose individualizmit”, “lidhjes së tepruar të fëmijës me nënën” etj.

Sidomos në kuadrin e kësaj të fundit (lidhjes së tepruar të fëmijës me nënën), specialistët theksojnë se një çështje shumë e rëndësishme është që pavarësisht dashurisë së nënës për të voglin/ën e saj, është shumë e rëndësishme të bëhet kujdes që të mbahet një lloj distance (largësie) gjeografike me fëmijën, sepse mbështetja tërësore e fëmijës tek prindi (sidomos nëna), bëhet shkak i padiskutueshëm për privimin e zhvillimit të aftësive të fëmijës dhe dobësimin ndërpersonal të tij. Për këtë, fëmijët me varësi të theksuar tek prindërit, “metodë” të përhershme të realizimit të kërkesave të tyre kanë: ngacmimin emocional të prindit, të qarat dhe të bërtiturat.

Problemeve të sipërpërmendura, kur me lejen e Allahut të Madhëruar të begatoheni me një fëmijë tjetër, do t’iu shtohet edhe çështja e paeliminueshme e xhelozisë së pranishme tek fëmijët, prandaj duhet që tani ta mësoni fëmijën tuaj të qëndrojë larg jush, edhe nëse ai fillimisht do ta refuzojë fuqishëm një gjë të tillë duke qarë a bërtitur, por keni për të parë që me kohë çdo gjë do normalizohet.

Për një edukim sa më të mirë të fëmijës tuaj, lëreni atë të përziehet me fëmijët e tjerë moshatarë, sespe kjo gjë është shumë e rëndësishme. Po kështu bëni kujdes të bleni për fëmijën tuaj vetëm lodra adekuate (të përshtatshme) edukative, të cilat i këshillojnë specialistët për moshën e fëmijës suaj, sepse ato ia largojnë atij ndjesitë e frikës, i dhurojnë ndjesi të sigurisë, e argëtojnë dhe i zgjerojnë horizontet dhe perceptimin; me fjalë të tjera lodrat janë mjet i rëndësishëm që ndikojnë direkt në përforcimin e personalitetit të fëmijës suaj dhe sigurisht në rastin kur ky mjet është i gabuar, ai ndikon negativisht tek fëmija…

Edhe pse duket qartë se fëmija juaj është krejt në rregull, që të jeni më e qetë këshillohet t’i bëni atij, të paktën një herë të vetme, një kontroll tek neurologu i specializuar për fëmijët, sepse konsulta e drejtpërdrejtë me specialistin, nuk mund të zëvendësohet me tjetërçka.

Kurse sa i përket aspektit fetar dhe pyetjes suaj se çfarë është ograku dhe a mundet një fëmijë kaq i vogël të preket nga kjo gjë, përgjigjja është si vijon:

Së pari: Ju këshillojmë që t’i përmbaheni gjithmonë parimit tuaj të bazimit vetëm tek mendimet e kuadrove të kualifikuar. Në këtë kontekst duhet theksuar se i pyeturi për çështjet fetare (në rastin tonë hafizja e pyetur), duhet të bëjë kujdes me përgjigjet që jep, sidomos për gjëra që i përkasin botës metafizike (të fshehtë), sepse dijetarët muslimanë kanë theksuar se vetëm kompetentët mund të flasin lidhur me këto çështje fetare, sepse këto të fundit u përkasin direktivave (udhëzimeve) të mirëfillta fetare. Gjithashtu edhe pyetësi (në rastin tonë vjehrra juaj) duhet të bëjë kujdes që të pyes vetëm specialistët e kualifikuar, që në rastin e çështjeve fetare janë hoxhallarët apo kuadrot fetarë të kualifikuar.

Së dyti: Në rastin e fëmijës suaj duket qartë se nuk kemi të bëjmë me ogradisje, pasi termi “ograk” është një term i vjetër popullor, që përdoret kryesisht për artikulimin arab “sar’a”, me të cilin nënkuptohet prekja apo ndikimi që xhindët bëjnë tek njeriu në situata të caktuara; më konkretisht me të synohet rasti kur një shejtan prej xhindëve ka pushtuar mendjen, zemrën ose trupin e një njeriu. Kjo mund të ndodh edhe me të vegjëlit, por sipas specialistëve të fushës përkatëse, në këtë rast, në përgjithësi simptomat (shfaqjet) e kësaj prekje prej xhindëve i përkasin llojeve më të lehta.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi