Pyetja: 

Me mamanë time ndodhin shumë debate. Nga këto debate kam shumë frikë se mos konsiderohem djalë i pabindur. Ju vë në dijeni se mamaja ka probleme mendore. Babai vdiq para disa kohësh. Më pas ajo pati probleme financiare dhe më vonë ju duk sikur njerëzit nuk e donin më dhe largoheshin prej saj. Për këtë arsye ajo është bërë shumë nevrike dhe i kupton gjërat ndryshe nga ç’janë. Duhet të theksoj se ajo është edhe e paarsimuar. Ne e duam shumë atë dhe nuk dëshirojmë që ajo të zemërohet.

***

Përgjigjja:

Të gjitha lavdet janë për Allahun. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për të Dërguarin e Tij ﷺ.

Gjëja më e mirë për njeriun është kur e di diagnozën e tij, sepse kjo është më e lehtë edhe për atë që dëshiron ta kurojë. Ti vëlla i nderuar e di sëmundjen që të mundon dhe mesa duket ke gatishmëri të plotë për të dëgjuar edhe përgjigjen.

Nëse do të të flas për detyrimet që ke ndaj prindërve ato janë të shumta dhe përgjigja do të ishte shumë e gjatë, sepse detyrimet që ke ndaj tyre janë më parësore se vetë dëshirat e tua. Ti ke detyrime ndaj tyre kur ata janë në gjendje normale. Por kur gjendja e tyre nuk është e tillë, siç është rasti i nënës tënde, përgjegjësia shtohet më tepër. Nëse dëshiron që të fitosh sevape të mëdha dhe që Allahu të jetë i kënaqur me ty, ndiq këshillat e mëposhtme në lidhje me nënën tënde:

1 – Bindju asaj plotësisht edhe nëse të urdhëron të bësh një gjë të vështirë, si për shembull edhe nëse të urdhëron që ta mbash në shpinë në shkretëtirë në një natë të ftohtë e me shi.

2 – Hesht dhe dëgjoje fjalën e saj deri në fund edhe sikur nga fjalët e saj ti nuk përfiton asgjë apo qofshin ato edhe fjalë të parëndësishme. E rëndësishme është që ajo të ndihet e qetë.

3 – Largoju nga ato gjëra prej të cilave ajo zemërohet dhe nevrikoset.

4 – Gjej momentin e përshtatshëm për të diskutuar me të, në mënyrë që ajo mos të ndihet keq.

5 – Sillu me të sikur të jetë e sëmurë. Çfarë kërkon i sëmuri nga njeriu më i afërt i tij?

6 – Përgatit një ambient të përshtatshëm që ajo të kthehet në normalitetin e saj.

7 – Thuaju të afërmëve të saj që të vijnë ta vizitojnë atë sa më shpesh, madje nëse ti krijon një situatë të atillë që njerëzit ta vazhdojnë ta duan atë është një veprim shumë i mirë prej teje.

Dhe pas kësaj të jesh i sigurtë se Allahu i Lartësuar ka për të të ndihmuar që ti të sillesh mirë ndaj saj . Medito në thënien e Allahut në Kur’an: “Nëse ndonjëri prej tyre ose që të dy plaken duke qenë nën përgjegjësinë tënde, mos thuaj  “uf” e as mos i qorto, por thuaju fjalë të mira.” (Isra: 23)

Mos harro asnjëherë se në çfarë gjendje janë të vjetërit. Mendo sikur ti të jesh i vjetër në moshë, çfarë do të kërkosh prej fëmijëve të tu? Dhe mos harro asnjëherë se fëmijët edhe kur të rriten e të bëhen burra, në sytë e prindërve ata janë fëmijët e tyre të vegjël.

Abdullah ibn Abdurahman El Ijade

Përktheu: Suad Shabani