Pyetja:
A bën që të bëhet fejesa (sipas traditave shqiptare) dhe pas 2-4 ditësh të fejuarit të udhëtojnë jashtë vendi (vend musliman – pushim, vizitë 10-ditore) dhe me këtë udhëtim të shpallet edhe martesa e tyre, edhe pse kjo nuk u pëlqen prindërve (se kanë dëshirë të kenë dasmë të madhe etj.) derisa të fejuarit nuk kanë dëshirë të ketë diçka jo islame në dasmën e tyre (p.sh. dasmë në restorante, muzikë e pije etj. duke i parë dasmat tona tash si organizohen).
A hyjmë në mëkat me prindërit tonë, që nuk po i respektojmë dëshirën, fjalën e tyre në këtë rast?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Së pari duhet t’i cekim kushtet e martesës në Islam dhe patjetër për t’u bërë një martesë legjitime dhe e lejuar sipas ligjeve të Islamit duhet t’i plotësojë këto kushte:
1. Kërkimi i vajzës nga ana e djalit apo nga ndonjë person i autorizuar nga djali (dhëndri).
2. Pranimi i kërkesës (bërja për hajr) nga ana e përgjegjësit të vajzës apo nga ndonjë person i autorizuar nga përgjegjësi i vajzës.
3. Të jenë dy dëshmitarë meshkuj.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka nikah (martesë) pa lejen e përgjegjësit dhe pa dy dëshmitarë të drejtë.” [1]
4. Të caktohet mehri, edhe pse mehri mund të caktohet edhe më vonë, mirëpo është më mirë të caktohet para martesës.
Nëse plotësohen këto kushte, sidomos tre kushtet e para, sepse kushti i katërt mund të plotësohet edhe më vonë, atëherë martesa është në rregull, përndryshe nëse nuk plotësohen këto kushte, atëherë martesa e tyre është e paligjshme dhe i kanë haram marrëdhëniet intime që bëjnë.
Sa i përket pyetjes suaj, ku thoni se a lejohet të mos bëni martesë dhe në vend të martesës të bëni ndonjë udhëtim.
Ky veprim është i pëlqyer në Islam e sidomos në rastet kur familja të nxit të bësh harame gjatë martesës, mirëpo është kusht që edhe ky udhëtim të mos jetë në harame sikurse shumë vëllezër i ikin dasmave dhe shkojnë në det me gruan, vend ku edhe aty ka harame të mëdha.
Për këtë veprim nuk pyeten prindërit kur ata dëshirojnë të bëjnë dasma që përmbajnë harame. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk duhet respektuar krijesa në ndalesat e Krijuesit.” Pra, nëse Allahu i Lartësuar ta ka bërë haram ndonjë gjë, atëherë ndalohet që ti ta respektosh ndonjë njeri duke kryer ndonjë haram.
E lusim Allahun e Lartësuar që t’ju bekojë ju dhe pasardhësit tuaj dhe t’ju bashkojë të dy në të mirë.
Eroll Nesimi
[1] Bejhakiu dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih “Sahih El Xhami” 7557.