Pyetja:
A është haram që mashkulli t’i mbajë flokët e gjata?
***
Përgjigjja:
Mbajtja e flokëve të gjata nuk konsiderohet prej Sunetit të Pejgamberit ﷺ, por i takon traditës dhe zakonit të një populli.
Është fakt se Pejgamberi ﷺ, i ka mbajtur flokët të gjatë, por edhe i ka rruar, prandaj nuk ka premtuar ndonjë shpërblim për atë që i zgjat flokët, por ka urdhëruar atë që i ka flokët e gjatë, apo që do t’i mbajë flokët e gjatë, që të kujdeset për mirëmbajtjen e tyre. Pejgamberi ﷺ, ka thënë: ”Kush i ka flokët (e gjatë), le të kujdeset për to.” [1]
Mbajtja e flokëve të gjatë i nënshtrohet traditës dhe zakonit të një populli. Nëse në një popull është traditë që meshkujt t’i zgjasin flokët –siç ishte edhe tek arabët-, atëherë mbajtja e flokëve të gjatë do të ishte e preferuar, në respekt të traditës dhe zakonit.
E nëse në një popull flokët e gjatë i mbajnë vetëm një kategori njerëzish që nuk kanë vlerë apo që janë të degjeneruar, atëherë muslimani nuk është mirë t’i zgjatë flokët me arsyetimin se Pejgamberi ﷺ, i ka pasur flokët e gjatë, ngase ne mendojmë se zgjatja e flokëve nuk konsiderohet prej Sunetit dhe adhurimit, po kjo është më shumë pasim i zakonit dhe traditës së një populli.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Ebu Davudi, nr. 4163. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.