Pyetja:

Si është forma e guslit dhe koha e tij në ditën e xhuma?

***

Përgjigjja:

Forma e guslit mund të ndahet në dy kategori: gusli i vlefshëm (obligativ) dhe gusli i preferuar (sunet).

1. Gusli i vlefshëm (obligativ) konsiderohet larja e trupit në tërësi duke mos mbetur asnjë pjesë e trupit pa u lagur si dhe futja e ujit në gojë (gargara) dhe në hundë (istinshak). Argument për këtë formë gusli është fjala e Allahut xh.sh.:

Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)!” (Maide: 6)

Pra, pastrimi realizohet me pastrimin e tërë trupit, ngase në ajet nuk përmenden detaje të tjera.

2. Gusli i preferuar (sunet) është ashtu siç ka vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ dhe është si vijon: Vendosja me zemër për qëllimin e marrjes së guslit, qoftë për shkak të xhenabetit [1], hajzit [2] apo nifasit [3], larja e duarve tri herë, larja e organeve gjenitale, marrja e abdestit si për namaz, larja e kokës tri herë duke e siguruar depërtimin e ujit deri në rrënjët e qimeve, larja e tërë trupit duke i dhënë përparësi gjatë larjes anës së djathtë. Argument për këtë formë të preferuar të guslit është transmetimi i Aishes r.a., e cila ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ kur pastrohej prej xhenabetit, së pari i lante duart, pastaj merrte abdestin si për namaz, e pastaj e lante tërë trupin, pastaj me dorën e tij i fërkonte flokët, pasi sigurohej se uji ka arritur në rrënjët e flokëve, e lante kokën tri herë e pastaj pastronte pjesët e tjera të trupit.” [4]

Në një transmetim tjetër Aishja r.a. thekson se Pejgamberi ﷺ gjatë larjes prej xhenabetit i jepte përparësi çdo herë anës së djathtë të trupit. [5]

Larja apo gusli në ditën e xhuma është sunet, vepër e lavdëruar. Sa i përket kohës së guslit në ditën e xhuma, shumica e dijetarëve mendojnë se është prej kohës së namazit të sabahut e deri para kohës së namazit të xhumasë, kurse në anën tjetër të gjithë janë të një mendimi se koha më e preferuar është të pastrohemi para nisjes për në xhami dhe se me këtë pastrim të falim namazin e xhumasë, ngase Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush dëshiron të niset për në xhuma, le të pastrohet (lahet).” [6]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Xhunubllëku.

[2] Menstruacionet.

[3] Lehonia.

[4] Buhariu, nr. 248; Muslimi, nr. (316) 35.

[5] Buhariu, nr. 258; Muslimi, nr. (318) 39.

[6] Buhariu, nr. 877; Muslimi, nr. (844) 1.