Pyetja:

Do të udhëtoj për tek vajza në Gjermani për më pak se pesëmbëdhjetë ditë, pastaj do të udhëtoj për në Zvicër, ku dhe atje do të qëndroj dhjetë ditë. A duhet t’i shkurtoj namazet si udhëtar apo ta konsideroj veten si në shtëpinë time?

***

Përgjigja:

Në rastin konkret, gjatë qëndrimit te vajza juaj, nëse keni vendosur të qëndroni më pak se pesëmbëdhjetë ditë,  ju duhet t’i shkurtoni namazet farz me katër rekate në dy rekate, ngase ju konsideroheni udhëtar. Po ashtu, edhe gjatë qëndrimit tuaj në Zvicër duhet t’i shkurtoni namazet. Nëse njeriut i ndodh të ketë udhëtime lëvizëse që mund të zgjasin me muaj të tërë, apo edhe me vite, prej një vendi në një vend tjetër, ai konsiderohet udhëtar, me kusht që në çdo vend të vendosë të qëndrojë më pak se pesëmbëdhjetë ditë. Abdullah bin Umeri r.a. ka thënë: “Nëse je udhëtar dhe vendos diku të qëndrosh pesëmbëdhjetë ditë [1], atëherë plotëso namazin, por nëse nuk e di se kur do të udhëtosh, atëherë shkurtoje.” [2]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

———————————

[1] D.m.th. pesëmbëdhjetë ditë e më shumë.
[2] Muhamed bin Hasen Shejbani në El-Athar, faqe 38, Ibën Ebi Shejbete në Musannef  2/343, dhe ka thënë në I’lau es-Sunen, 7/312: “Isnadi i Ibn Ebi Shejbes është sahih”. Shiko: Nasbu err-Rraje, 3/185.