Pyetja:

Jam një vajzë 16 vjeqare tash e dy vite gati fali namaz.Pyetja ime është kjo? Kur kam filluar me u fal kam qenë fillestare në islam dhe shumë gjëra nuk i kam ditur në atë kohë. Gati ndoshta para 2 viteve një vëlla musliman nga medresja ka dashur të njofthet me mua. Unë nuk kam ditur dhe kam pranuar të flas me të,mirëpo vetem në internet dhe në telefon. Kemi biseduar një kohë të gjatë mirëpo më vonë nuk kemi biseduar.Tash, Allahu ma ka mundësuar me e kuptu se kam gabuar dhe jam penduar mirëpo është diqka,se nga mendja ai vëlla nga medresja nuk më largohet kur thjesht jam e dashuruar në atë; me bisedu,nuk bisedoj më me atë.E kam kuptuar se është e ndaluar,mirëpo për atë vëlla gjithmonë mendoj,sa herë që e shoh,nuk e di,nuk mundem ta harrojë atë,jam munduar mirëpo nuk kam mundur.Tash e dy vite ende e kam në mendje dhe shumë e dashuroj.Pyetja tjetër është se gjithmonë në sexhde në namaz nafile bëjë dua që Allahu të ma mundësoj të bashkohem me atë vëlla kur të jetë hajr per mua ? Mirëpo atë vëlla edhe pse shumë kam dëshirë ta harrojë,diqka më ndalon,edhe pse ai e do dikë tjetër sa kam ndëgjuar nga të tjerët.Do doja të më tregoni për te gjitha,në mënyrë sa më të mirë që me i kuptu edhe me më këshillu qfarë të bëjë në këtë rast?

***

Përgjigjja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari ju dëshirojmë mirëseardhje në faqen tonë dhe ju themi se ndiejmë kënaqësinë që keni gjetur besim te ne dhe na keni shkruar për problemin tuaj. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju forcojë në besim, t`ju udhëzojë në bërjen e punëve të mira dhe t‘ju japë lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.

Nga ajo që lexuam në letër na bënë të gëzohemi se si një vajzë në moshën e saj më të mirë, me të gjitha mundësitë që ka të shkojë pas kënaqësive dhe epsheve të kësaj bote, ajo refuzon këto dhe dëshiron ta jetoj këtë botë duke qenë rob i Allahut e jo rob i epshit apo shejtanit. Prandaj së pari ju urojmë, pastaj këshillojmë se njeriu që e merr këtë rrugë, patjetër do të ballafaqohet me vështërsi e probleme dhe gjithsesi me ndihmën e Allahut duhet t`i tejkalojë ato për të arritur premtimin e Allahut, thotë Allahu i Lartësuar: “ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë.”

Sa i përket problemi tënd, së pari përshëndesim ndërprerjen e kontaktit me personin, për arsye se neve në disa përgjigje të tjera kemi përmendur për rreziqet nga kontaktet e këtilla dhe se janë të ndaluara. Kurse çështja se ai djalë nuk ju del nga mendja dhe se e dashuroni do të thoja se ky problem i ka dy mundësi:

E para: Se kjo është ves nga shejtani, që mundohet të arrijë tek ti me anë të këtyre mendimeve. Pasiqë kohën kur keni filluar kontaktimin, por edhe tani, ishit në një moshë që mendimet e tilla janë shumë të ndieshme dhe zakonisht njeriu në atë moshë ka mendime dhe meditime të tilla të shumta. Me një fjalë tjetër, mund të jenë këto probleme të adoleshencës, me të cilat ballafaqohet çdonjeri që arrinë atë fazë. Prandaj mendoj që shejtani zgjodhi këtë lloj të ngacmimit pasiqë ju jeni shumë të ndieshëm në këtë çështje dhe ndikoheni shumë që të arrijë tek ju dhe të mund t’ju largoj nga forma e jetës që ju keni zgjedhur ta jetoni, e nëse nuk mundet në këtë, së paku ka arritur që t`ju bëjë të merreni me këto mendime dhe t’ju largojë nga gjërat e tjera që janë të dobishme për ju, qoftë ajo nga dobitë për këtë botë si mësimi, etj., apo qoftë edhe nga dobitë që kanë të bëjnë për botën tjetër. Prandaj, largohu nga mendimet e tilla dhe përqëndrohu në ato gjëra që përfiton, mbështetu Allahut, lute Atë me dua, dhikër, namaz dhe gjëra të tjera që janë të dobishme për ty.

E dyta: A është e mundur që ajo që e ndien që është dashuri, apo të them më mirë se ai djalë është tërheqës për ju dhe ju ndieni simpati ndaj tij dhe keni dëshirë që të bashkoheni me të, prandaj edhe bëni dua (lutje), për këtë. Çështja e martesës është nga gjërat që nuk janë në dorën e njeriut në përgjithësi, e themi këtë nga këndi se kjo është me caktim të Allahut dhe njeriu në këtë nuk mund të ndikojë dhe ta bëjë të realizueshme çdo martesë që e dëshiron, për shkak se ekzistojnë shumë gjëra dhe rrethana të tjera që ndikojnë në të. Gjithashtu, ajo është edhe çështje e kohës, kurse ju jeni ende e re dhe keni përpara shancin të bëni zgjedhjen e partnerit të përshtatshëm të jetës tuaj, duke e patur parasysh personalitetin tuaj. Prandaj, ju këshillojmë mos të nxitoni në këtë. Muslimani nuk duhet të nxitojë në punët e tilla, mos harro se shumë herë njeriu mendon për gjëra se janë të mira për të dhe i dëshiron ato, kurse ato në esencë nuk janë të dobishme por të dëmshme për ne, këtë na e përkujton Allahu i Lartësuar ku thotë: “Ju mund ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. Allahu di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.”(Bekare: 216).

Nga letra vërehet, ashtu si e përmendni ju, se ai person nuk tregon interesim për ju, themi se ai që në fillim nuk ka qenë serioz në kontaktin me ju, duke ia shtuar kësaj se ai tani ka kontakte me një vajzë tjetër, ndoshta edhe në të ardhmen do të ketë me dikë tjetër e kështu me radhë, prandaj në këtë punë është shumë e nevojshme të mendosh thellë për shkak se është në pyetje ardhmëria juaj.

Prandaj, së fundi të këshilloj që mos të humbësh kohë me mendime të tilla, por t’u japësh fund këtyre sa më shpejtë, ndoshta për hirë të asaj që ndieni ndaj tij mundesh me anë të ndonjë shoqe tënde që është e afërm me të, të vërtetohesh se a është ai i interesuar për ty, nëse është e kundërta, atëherë bindu se kjo së pari nuk është në të mirën tënde, prandaj edhe Allahu nuk e caktoi që ti të bashkohesh me të, për shkak se ti ke falur namaz istihare dhe Atij iu ke mbështetur. Pastaj, dije se ty Allahu do ta jap të mirën, nëse njeriu e lë një çështje në dorë të Allahut, Ai kurrë nuk do ta tradhtojë atë njeri, Allahu i Lartësuar thotë: “Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” (Talak, 3)

Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi