Pyetja:
Jam e sëmurë nga veshkët dhe mjekët ma kanë ndaluar agjërimin. A më lejohet që me këtë sëmundje që kam të mos agjëroj?
***
Përgjigjja:
Agjërimi i Ramazanit është obligim për çdo musliman, moshërritur, që nuk ka ndonjë pengesë që e justifikon për të mos agjëruar. E ndër ato pengesa është edhe sëmundja. Prandaj çdo musliman që vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë lirohet nga obligimi i agjërimit. Sëmundja, e cila e lejon mosagjërimin mund të përkufizohet në këto raste:
- Nëse shtohet sëmundja për shkak të agjërimit;
2. Nëse vonohet shërimi për shkak të agjërimit;
3. Nëse agjërimi i shkakton vuajtje, dhembje të papërballueshme.
Allahu i Lartësuar thotë:
“E kush e përjeton prej jush këtë muaj (ramazan), le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” (Bekare: 185)
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahut i pëlqen t’i pranoni lehtësirat, ashtu sikurse e urren kryerjen e ndalesave.” [1]
Prandaj nëse vërtetohet me dëshmi të mjekut të specializuar musliman, që është i besueshëm, se agjërimi e dëmton shëndetin tënd, atëherë nuk të lejohet agjërimi, por duhet patjetër të përdorësh ushqim dhe ilaçe të nevojshme, ngase Allahu xh.sh. thotë:
“…e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit.” (Bekare: 195)
Ndërsa Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet dëmtimi i vetes e as dëmtimi i tjetrit.” [2]
Sa i përket kompensimit të ditëve të paagjëruara, nëse sëmundja konsiderohet e përkohshme dhe shpresoni se do të shëroheni pas një kohe, atëherë në momentin që shëroheni i kompensoni ditët e paagjëruara, ditë për ditë.
Mirëpo nëse sëmundja është e pashërueshme, atëherë nëse keni mundësi, do të ishte mirë që për çdo ditë të paagjëruar të ushqeni nga një të varfër.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
——————————-
[1] Ahmedi, nr. 5839. Albani e ka konsideruar hadithin sahih. Shiko Irvau el-Galil, nr. 564.
[2] Ibën Maxhe, nr. 2340. Albani e ka konsideruar hadithin sahih.