Pyetja:

 

Jetojmë në një vend ku shoh dallime mes hoxhollarëve në caktimin e fillimit të agjërimit apo përfundimit të tij. Hasim në dy grupe të ndryshme: Njëri grup pretendon se duhet të veprohet me shikimin e hënës duke u argumentuar me hadithin: ”Agjëroni kur ta shihni hënën dhe ndërpreni agjërimin kur ta shihni përsëri”. Ndërsa grupi tjetër pretendon se duhet të mbështetemi në llogaritjet astronomike pasi që ata kanë arritur në shkallë të madhe të përparimit dhe kanë mundësi ta caktojnë fillimin e muajit nga më herët.

***

Përgjigjja:

Mendimi i vërtetë në këtë çështje është ajo çka mbështetet në argumente të Sheriatit, ndërsa në këtë rast është mendimi i parë.
Pejgamberi  ka thënë: “Agjëroni pasi ta shihni atë (hënën e re) dhe ndërpriteni agjërimin (në fund të muajit) kur ta shihni atë. nëse është e fshehur, atëherë plotësoni tridhjetë ditët e muajit Shaban.” Nga fjala e Pejgamberit “pasi ta shihni atë” kuptojmë shiqimin me sy e jo llogaritje. Allahu i Madhëruar e ka dërguar Pejgamberi për të gjithë njerëzit dhe gjithë kohërat, pa marrë parasysh a e njohin llogaritjen e lëvizjeve të hënës apo jo, a posedojnë mjete moderne apo nuk posedojnë, a kanë përparuar në teknologji apo janë të prapambetur e kështu me radhë. Pra Islami e ka bërë që të gjithë njerëzit të kenë mundësi ta adhurojnë Allahun dhe ta dinë kohën e atij adhurimi.

Pastaj nuk duhet harruar një çështje shumë me rëndësi e ajo është se: Allahu i Madhëruar e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, prandaj në kohën kur ka zbritur Kurani Allahu e ka ditur se do të vijnë njerëz të cilët do të përparojnë në teknologji dhe do ta njohin llogaritjen por megjithatë ka thënë: “Dhe kush e sheh nga ju hënën (e re) le të agjëron”. (Bekare: 185)
Gjithashtu e ka urdhëruar edhe Pejgamberi  që të na tregojë të njëjtën siç e cekëm hadithin më lartë. Nga kjo bëhet e qartë se muslimanët duhet të veprojnë me atë çka e ka urdhëruar Allahu, e ai është shikimi dhe ky është koncenzus i gjeneratave të para. Ndërsa përparimi në teknologji nuk mund ta ndryshojë kohën e adhurimeve.

Përktheu dhe përshtati për botim: Senad Ramadani

—————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi