Pyetja:

Jam një vajzë 20 vjeçare. Që dy muaj nuk ndiej kënaqësi për asgjë. Kohën e fundit kam shumë probleme, nuk po kam vullnet për gjë, kam shumë vesvese. Kam pirë ujë të kënduar dhe jam falur pasi e ndjeja vetën ashtu, por një javë nuk munda të falem për shkaqet që kemi ne, femrat, dhe, gjatë kësaj kohe, gati sa nuk çmendësha prej ankthit në çdo natë, as gjumi s’më zinte. Dje fillova të falem dhe kam fjetur rehat. Çka më këshilloni të bëj, ngase mendja veç për keq po më shkon?

***

Përgjigjja:

Fillimisht, lus Zotin e Madhërishëm që t’jua lehtësojë gjendjen nëpër të cilën po kaloni. Pavarësisht se sa e rëndë mund të jetë gjendja juaj emocionale, mundohuni që mos ta lëni faljen e namazit. Ajo çfarë vërehet tek ju, e nderuar motër, janë simptomat e ankthit, depresionit dhe mendimeve obsesivo-kompulsive, andaj ju sygjeroj që trajtimi juaj të shkojë përmes këtyre hapave:

Takoni një psikiatër

Psikiatri është mjek i specializuar për sëmundje psikike a mendore, që zakonisht përshkruan barna sikurse janë antidepresivët. Antidepresivët përdoren për të trajtuar depresionin, por edhe për të zvogëluar simptomat e ankthit. Ilaçet kundër depresionit janë efektive edhe në lehtësimin e simptomave të ankthit në të paktën tek gjysma e njerëzve që vuajnë nga çrregullimi i ankthit të përgjithësuar. Antidepresivët veprojnë duke ndërhyrë me neurotransmetuesit si serotonina që mund të shkaktojë ankth. Ilaçet kundër depresionit kërkojnë të paktën 2-3 javë që të japin efektet e dëshiruara.

Disa pacientë e ndërpresin mjekimin pas rreth një jave, sepse ata shohin përmirësim, por bëjnë gabim. Duhet t’i jepni kohën e nevojshme ilaçit për të arritur në përfitim të shëndetit. Rikonsultimi me mjekun specialist është shumë i nevojshëm për rregullimin e marrjes së mjekimit.

ASNJËHERË PACIENTI NUK DUHET TË MARRË INICIATIVA PËR TË RRITUR OSE ZVOGËLUAR DOZAT E MJEKIMIT APO TË NDËRPRESË MJEKIMIN PA U KONSULTUAR ME MJEKUN SPECIALIST

Ka lloje të ndryshme medikamentesh kundër ankthit të përgjithësuar, secili me efektet pozitive dhe efektet negative të tij; pra, dallojnë nga njëri-tjetri në efektet e mundshme anësore të tyre. Mund të ndodhë ndonjëherë që pas dy ose tre ditësh pas fillimit të terapisë simptomat e ankthit të rriten dhe pastaj të fillojnë të zvogëlohen përsëri deri në dozën mbajtëse të rekomanduar nga mjeku psikiatër.


Takoni psikoterapistin për një trajtim psikosocial

Kombinimi i trajtimit me medikamente dhe trajtimit psikosocial mund të na japë rezultat më të mirë se sa vetëm marrja e medikamenteve. Në këtë rast, terapia e sjelljes është shumë efektive. Të përjetosh ankth do të thotë të kesh frikë për gjithçka.


Teknikat relaksuese

Ushtrimet fizike të përditshme janë teknika që relaksojnë pas përjetimit të situatave stresuese dhe tensionuese. Ato na ndihmojnë të metabolizojmë adrenalinën, të ulim reagimet e ankthit dhe të rrisim ndjesinë të ndjerit mirë. Ç’është e mira, ushtrimet fizike mund të bëhen fare lehtë në kushte shtëpie.

Metoda të tjera janë:

  1. Frymëmarrja e thellë – është një metodë tejet efektive për të hyrë në një gjendje të relaksuar.
  2. Relaksimi progresiv – është një teknikë e relaksimit të shpejtë, e cila arrihet kur ju shtriheni në shpinë dhe mbyllni sytë tuaj dhe, si rrjedhojë, ndieni peshën e trupit tuaj. Kështu, tensioni gradualisht bie dhe trupi dhe mendja e juaj, kur të zgjoheni, do të jenë të relaksuara.
  3. Vizualizimi imagjinativ – është ajo teknikë e cila redukton stresin dhe ankthin kur e lëni imagjinatën tuaj të rrjedhë plotësisht qetë dhe pa ngarkesa. Po ashtu, për t’u relaksuar, ta udhëhiqni imagjinatën tuaj në objekte që vërtet sjellin relaksim si plazhet dhe deti, fotografitë relaksuese, zërat relaksues dhe muzika relaksuese.
  4. Numërimi – ka shumë kohë që njerëzit e përdorin numërimin për t’u relaksuar dhe për të fjetur dhe kjo teknikë është treguar të jetë efektive, andaj edhe ne e propozojmë. Numëroni qetë symbyllurazi nga 1 deri në 100 dhe lëreni mendjen tuaj të çlirohet nga ngarkesat dhe ta ndërpresë numërimin kur të vijë relaksimi, dremitja ose gjumi.
  5. Dëgjimi i Kuranit – është metodë tejet efikase dhe e dobishme.
  6. Ecja dhe shëtitjet – janë tejet efektive për t’u relaksuar. Ecni së paku 30 minuta në ditë. Zgjedhni një vend që ju pëlqen, merrni pak gjëra të nevojshme dhe qetësohuni bashkë me natyrën që keni para dhe rreth vetës. Shëtitjet mund t’i shfrytëzoni edhe për relaksim psiko-fizik, përkatësisht për të luajtur apo për t’u marrë me aerobi.
  7. Meditimi – përfshin çdo veprimtari që ndihmon për të mbajtur vëmendjen tuaj në qetësi në momentet e tanishme. Meditimi është në njëfarë forme edhe “prehje”.
  8. Masazhi – është një mënyrë tjetër e relaksimit shumë efektive e cila përfshin shtendosjen muskulore përmes ushtrimeve dhe lëvizjeve të gjymtyrëve të caktuara të trupit si qafës, këmbëve, duarve etj..
  9. Gjumi – Përcaktimi i një orari gjumi për çdo nate dhe zgjimi gjithashtu në orar. Krijimi i një atmosfere komode në dhomën e gjumit, një dush të ngrohtë para gjumit, një libër për të shfletuar disa faqe, larg televizorit, larg internetit. Ushtrime para gjumit numërim mbrapsht nga 50 gjer 1, 2 deri në 3 herë.

Gjithashtu, aktivizohuni në punët e shtëpisë, në kujdesin për veten, në higjienë etj..

Këto dhe shumë teknika të tjera mbi relaksimin janë të vlefshme vetëm nëse do të përdorni relaksimin tuaj në çdo situatë, sado e vështirë që të jetë ajo, duke përdorur teknikat relakusese, duke komunikuar me të tjerët dhe duke u konsultuar me profesionistë kompetentë si psikolog ose psikiatër. Të paktën një gjë është e sigurt: relaksimi dhe qetësia janë virtyte të të urtit dhe themel i një jete stabile psiko-fizike dhe psiko-emocionale.

Punoni që të bëheni dhe të ndiheni efektive.

Kërkoni përkrahje

Familja luan rol të rëndësishëm në mbështetjen e pacientit. Për një trajtim të suksesshëm, familja duhet të përfshihet në kujdesin e personave me probleme të shëndetit mendor. Duhet që së bashku të krijojmë një model sa më efektiv dhe të realizueshëm mes pacientit dhe familjarëve për bashkëpunimin e menaxhimit të ankthit. Gjithashtu, të njohim dhe të kuptojmë shenjat e para të shfaqjes së gjendjes së ankthit.

Agron Tërziqi