Pyetja:

Kam probleme me të dashurin sepse kur kemi filluar lidhjen, unë nuk kam falur namaz dhe kemi pasur kontakte seksuale. Tani, pasi kam filluar namazin, ai po e pranon që të falem, por jo që të shkoj në ‘ekstrem’ sipas tij, që të lexoj Kuran dhe të përdor fjalë si Allahu të shpërbleftë etj., se ‘unë ty nuk të njoh kështu. Tani je bërë krejt e panjohur dhe unë nuk mund të vazhdoj në këtë mënyrë. Edhe unë nuk po mundem të kem më kontakt seksual me të.

 

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Motër e nderuar, fillimisht ju urojmë për namazin që keni filluar ta falni, vërtet ky është një lajm që gëzon çdo musliman i cili ua do të mirën të tjerëve. Lusim Allahun e Lartësuar që t`ju forcojë dhe të vazhdoni edhe më shumë në përkushtimin ndaj Krijuesit tuaj.

Ndërsa për problemin që na shkruani, mund të thuhet se çështja juaj është mjaft serioze dhe për të qenë i sinqerte dhe i drejtpërdrejtë me ju, themi se nuk duhet t’ju mërzisë qëndrimi i personit me të cilin juve keni krijuar raporte, sepse ai ka rezervë t`ju pranojë ashtu si jeni tani, por problemi qëndron në atë se sa është e drejtë që ju të vazhdoni raportin me atë djalë.

Motër e nderuar, ju duhet ta keni parasysh se lidhja dhe krijimi i raporteve me meshkuj të huaj është e ndaluar e aq më rrezik është që ju të futeni në kontakte, ku i lejoni vetes edhe marrëdhëniet seksuale. Këto veprime janë të lejuara vetëm mes një mashkulli dhe femre të cilët kanë lidhur martesë në mes vete. Prandaj ju këshillojmë që ta rishqyrtoni qasjen që mbani ndaj këtij kontakti dhe ta ndërprisni menjëherë atë. E kemi parasysh se ju keni shkuar larg në këtë marrëdhënie, por ta keni parasysh se veprimet e këtilla janë të ndaluara në mënyrë strikte në fenë tonë të pastër dhe nëse dëshironi që ta shpëtoni vetën tuaj nga hidhërimi i Allahut, atëherë patjetër duhet ta ndërprisni këtë raport.

Për këtë problematikë kemi folur mjaft herë, prandaj ju sugjerojmë që të ktheheni në përgjigjet e mëposhtme:

http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=1641

http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=1637

http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=1638

http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=1635

http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=1628

http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=1627

Alaudin Abazi