Pyetja:

Kur është koha a namazit të duhasë?

***

Përgjigjja:

Namazi i duhasë është namazi i paradites, kjo nënkuptohet nga vetë fjala duha, që do të thotë paradite. Koha e namazit të duhasë fillon prej lindjes së diellit (përafërsisht 45 minuta pas kohës së namazit të sabahut) dhe përfundon pak para hyrjes së kohës së drekës. Vlera e namazit të duhasë është shumë e madhe. Ebu Dherri transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në mëngjes duhet dhënë sadaka për çdo nyje të trupit tënd. Çdo tesbih (të thuash subhanallah) është sadaka. Çdo tahmid (të thuash elhamdulilah) është sadaka. Çdo tehlil (të thuash La ilahe il-lAllah) është sadaka. Çdo tekbir (të thuash Allahu ekber) është sadaka. Urdhërimi për të mirë është sadaka. Ndalimi i së keqes është sadaka dhe falja e dy rekateve të duhasë mjafton për të gjitha.” [1]

Namazi i duhasë është sunet i vërtetuar nga i Dërguari i Allahu ﷺ. Aishja r.a. transmeton se Pejgamberi ﷺ e falte namazin e duhasë katër rekate, e ndonjëherë falte më shumë, aq sa dëshironte Allahu.” [2]

Ebu Hurejra r.a. ka thënë: “Më ka porositur i dashuri im (ﷺ) me tri gjëra: agjërimin e tri ditëve të çdo muaji, faljen e namazit të duhasë dhe të mos fle pa e falur vitrin.” [3]

Transmetime të sakta vërtetojnë se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka falur namazin e duhasë dy, katër, gjashtë dhe deri në tetë rekate, por s’ka problem sepse bën edhe më shumë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (720) 84.

[2] Muslimi, nr. (719) 79.

[3] Buhariu, nr. 1178; Muslimi, nr. (721) 85.