Koha e namazit të jacisë

59. I nderuar hoxhë! Deri kur është koha e namazit të jacisë?

Përgjigjja: Namazi i jacisë fillon nga koha e zhdukjes së ngjyrës së kuqe nga horizonti (zakonisht sot thuajse në tërë botën është e shënuar edhe në kalendarë dhe me to orientohen muslimanët gjithandej nëpër botë) dhe vazhdon deri në agimin e dytë të mëngjesit, pra deri në momentin e hyrjes së kohës së sabahut.

Mëngjesi ka dy agime, siç e quan populli, “jo i vërtetë” dhe “i vërtetë”. Agimi “jo i vërtetë” (apo siç quhet ndryshe në popull “agimi i rrejshëm”) është atëherë kur në kupë të qiellit del një dritë, e cila është e ngushtë dhe e gjatë dhe vazhdon pak kohë e më pas humb e pastaj bëhet edhe më terr dhe disa minuta më vonë, rreth gjysmë ore më vonë, fillon të dalë agimi i vërtetë, i cili nuk fillon me daljen e dritës së ngushtë dhe të gjatë, por me një zbardhje të plotë në qiell, saqë fillojnë të dallohen objektet. Ky pra është agimi i vërtetë.

Me paraqitjen e agimit të dytë del koha e namazit të jacisë dhe hyn koha e namazit të sabahut. Në mes të kohës së jacisë dhe sabahut nuk ka kohë pa namaz, prandaj e vetmja kohë pa namaz në mes dy namazeve është koha në mes të sabahut dhe të drekës, përndryshe katër kohë të tjera të namazit nuk ka diçka që i ndan mes tyre, pra, përfundimi i njërës kohë të namazit është hyrja e kohës tjetër të namazit. Mirëpo edhe pse koha e namazit të jacisë vazhdon deri në lindjen e agimit të dytë, nuk lejohet që pa arsye namazi i jacisë të vonohet deri në fund të kohës së tij. Disa dijetarë kohën e namazit të jacisë e kanë ndarë në dy kohë:

1.Koha e zgjedhur, e preferuar e namazit të jacisë, e cila vazhdon deri në mesnatë. Në lidhje me këtë ka ardhur hadithi nga Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], i cili thotë: “…dhe koha e namazit të jacisë është deri në mesnatë.”[1]

Imam Neveviu ka thënë: “Kjo do të thotë koha e zgjedhur, e preferuar.”[2]

2.Koha për raste emergjente, e cila vazhdon deri në lindjen e parë të agimit. Ibën Tejmije shënon se Jahja bin Ademi transmeton nga Ibën Abasi r.a. të ketë thënë: “Koha e drekës është derisa të hyjë koha e ikindisë, koha e ikindisë është derisa të hyjë koha e akshamit, koha e akshamit është derisa të hyjë koha e jacisë dhe koha e jacisë është derisa të hyjë koha e sabahut.”[3]

Kurse sa i përket llogaritjes së gjysmës së natës, shikohet koha që nga perëndimi i diellit deri në hyrjen e kohës së namazit të sabahut, pasi kjo e tëra është natë. Pastaj nga kjo kuptojmë se edhe gjysma e natës dallon varësisht prej gjatësisë së natës. P.sh. nëse dielli perëndon në orën gjashtë të pasdites dhe koha e sabahut hyn në gjashtë të mëngjesit, atëherë gjysma e natës është në orën dymbëdhjetë.

Si përfundim themi se koha më e mirë për namazin e jacisë është të shtyhet deri në gjysmën e natës, ose pak më herët, përpos nëse ke frikë se të ikën xhemati, ose je i lodhur, ose është nata shkurtër e ti dëshiron të flesh. Në raste të tilla e fal në fillim të kohës së saj, pra varësisht prej rrethanave. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Po të mos kisha frikë se po e rëndoj umetin tim, do t’i kisha urdhëruar që ta shtyjnë jacinë deri në fund të pjesës së parë, ose (deri) në gjysmën e natës.”[4]

Pas mesnate deri në mëngjes është kohë e lejuar, por jo e preferuar dhe nëse shtyhet pa arsye është mekruh (e urryer).

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (612) 171.

[2] Sherh Sahihu Muslim, 5/111.

[3] Sherh el-Umde, Ibn Tejmije, 2/153.

[4] Tirmidhiu, nr. 167 dhe ka thënë: “Hasen sahih”.