Pyetja:

Si ndikon Ramazani në shtimin e bereqetit?

***

Përgjigja:

Krahas segmenteve të tjera, të cilat janë të pranishme dhe evidente, nga mirësitë e muajit të begatë të Ramazanit janë edhe vlerat sociale. Tani, më shumë se asnjëherë më parë, kemi nevojë të jemi pranë njëri-tjetrit, t’i ofrojmë ndihmën e solidaritetit atyre që kanë nevojë, t’i relaksojmë raportet familjare, vllazërore e miqësore. Këtë ngjyrim të vlerave na e rikthen sofra e iftarit, me anëtarët e familjes dhe me miq e dashamirë.
Poashtu, ne mund ta rregullojmë gjendjen ekonomike të shoqërisë, përmes dhënies së zekatit, ku në fakt, përveç që kryejmë detyrimin tonë karshi Allahut xh.sh., ne gjithashtu pastrojmë edhe shpirtin dhe pasurinë tonë dhe u dalim në ndihmë të varfërve dhe skamnorëve.
Ky mozaik i vlerave do të kurorëzohej edhe me dhënien e sadakatul fitrit, përmes së cilës pastrojmë gabimet dhe të metat eventuale gjatë agjërimit, si dhe i gëzojmë varfnjakët. Në këtë formë, kemi rregulluar vijën vertikale – raportin tonë me Zotin Fuqiplotë, si dhe vijën horizantale – raportin tonë me familjen, farefisin dhe mbarë shoqërinë.
Në përmbyllje të këtyre reformave, mesazhi ynë do të ishte: Sa më mirë t’i njohim vlerat e muajit Ramazan, aq më shumë përfitojmë nga mirësitë e tij.

Allahu e di më së miri.

Dr. Sadat Rrustemi