Pyetja:

Kur të zbret Allahu në pjesën e tretë të natës në qiellin e dynjasë a nënkupton se Allahu qëndron mbi Arsh? Andaj a mund të ma sqaroni këtë: Kur Allahu zbret në pjesën e tretë të natës në qiellin e dynjasë a nënkupton se në të njëjtën kohë Allahu qëndron mbi Arsh?

***

Përgjigja:

Kjo është prej pyetjeve, që lidhen më lëmin e akides, e që nuk lavdërohet shtrimi i tyre.
Nuk mund të thuhet absolutisht se ne jemi më të përkushtuar në njohjen e meseleve të fesë se sahabët e të Dërguarit të Allahut, ﷺ.
Ata, asnjëri nuk dihet se i kanë bërë këtë pyetje të dërguarit të Allahut, ﷺ, andaj nuk është mirë të thellohemi shumë në këso pyetje. Mirëpo derisa gjatë historisë islame ka pasur fraksione të shumta, të cilat nuk kanë hezituar të hyjnë edhe në gjërat më delikate dhe të ndjeshme, edhe dijetarët islamë kanë dhënë sqarimet e tyre përkitazi me këtë çështje që ju keni shtruar në pyetjen tuaj dhe janë përgjigjur se nuk ka kundërshtim mes ajeteve të Kuranit, që flasin për qëndrimin e Allahut mbi Arsh dhe hadithit që flet për zbritjen e Allahut në pjesën e tretë të natës në qiellin më të afërt. Pra, ndodh edhe zbritja e Allahut e edhe qëndrimi i tij mbi Arsh. Më së afërmi qëndron se në kohën e zbritjes Allahu nuk i shmanget Arshit të Tij, i Lartësuar qoftë Ai. Mënyra se si, nuk është në mundësinë e krijesave ta dinë dhe nuk guxojmë të futemi në gjëra të tilla. Cilësitë e Allahut i besojmë ashtu siç përmenden në Kuran dhe sunet, duke mos i ngjasuar me cilësitë e krijesave, as shtrembëruar, as komentuar e as asgjësuar. Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku