Allahu i Lartësuar thotë: “…që Allahu ta njohë atë që i frikësohet Atij, kur askush nuk e sheh.” (El-Maide, 94). Në këtë kuptim, njëri nga selefët tha: “Frika jote nga era kur e lëviz derën, është më e rëndë sesa mëkati që je duke e bërë.” Njëri që ishte sprovuar me shikim në haram tregon: “Dëgjova një zë tek dera; zemra më arriti në fyt dhe trupi mu shtang. E mbylla kompjuterin shpejtazi dhe e hapa derën; mirëpo ishte vetëm një mace.” Musliman, Allahu është më afër! Kur je vetëm dhe je duke bërë mëkat, mos u mashtro me heshtjen e gjymtyrëve tua, sepse do të vijë Dita kur do të flasin. Allahu i Madhërishëm thotë: “Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Ja Sin, 65). Mes njeriut dhe asaj që e shpie në poshtërim, s’ka gjë tjetër përpos “murit” të mbikëqyrjes së Allahut. Andaj, kush e rrëzon këtë muri, është bërë trim. E, sa e shëmtuar është trimëria ndaj Allahut! Dijetari i madh Esh-Shenkitij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të gjithë dijetarët janë të një mendjeje se Allahu nuk ka zbritur në tokë këshillues dhe parandalues më të madh për njerëzit sesa ajetet që flasin për mbikëqyrjen e Tij.” Njëri nga selefët tha: “Mos u bëj mik i Allahut kur je me të tjerët dhe armik i Tij kur je vetëm.” Në këtë kohë themi: “Arritja tek harami është bërë shumë e lehtë.” Mirëpo duhet të dimë se: “Kjo është kohë në të cilën afrimi tek Allahu nëpërmjet braktisjes së harameve është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.” Telefonat e mençur dhe kompjuterët janë sikur arkat. Pra, ose vepra të mira që vazhdojnë edhe pas vdekjes, ose vepra të këqija që vazhdojnë edhe pas vdekjes. Çfarëdo që vendos në to, do ta gjesh në regjistrin tënd në Ditën e Kiametit. Kujdes nga mëkatet e fshehta; veçanërisht ato që kryhen nëpërmjet telefonave të mençur dhe kompjuterëve gjatë mungesës së familjes dhe njerëzve, sepse kjo e godet mu në zemër qëndrueshmërinë tënde në fe! Kryej adhurime të fshehta, sepse kështu e ruan veten nga cytjet e epsheve! Andaj, nëse dëshiron që deri në vdekje të jesh i qëndrueshëm në fe, përherë sille ndërmend mbikëqyrjen e Allahut! Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mëkatet e fshehta janë shkak për dështim, ndërkaq, adhurimet e fshehta janë shkak për qëndrueshmëri në fe.” Nëse njeriu e zbukuron gjendjen e tij kur është vetë, Allahu do t’ia zbukurojë vetminë në varr. Nga Theubani (radijAllahu anhu) përcillet se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Në Ditën e Kiametit do t’i njoh disa pjesëtarë të ummetit im që do të vijnë me vepra të mira e të bardha sa malet e Tihames, mirëpo, Allahu do t’ua shndërrojë në pluhur e hi.” Theubani tha: “O i Dërguar i Allahut! Në i përshkruaj dhe na i shfaq ata, në mënyrë që mos bëhemi prej tyre, pa e ditur!” Ai tha: “Ata janë vëllezërit tuaj. Janë njerëz si ju dhe falen natën ashtu siç faleni edhe ju. Mirëpo, kur të vetmohen me harame, i kryejnë ato.” (Përcjellë nga ibn Maxhe. Imam Albani e vlerësuar si të vërtetë). Allahu thotë: “Largohuni nga gjynahet e hapëta dhe të fshehta, sepse, ata që kanë bërë gjynahe, patjetër që do të ndëshkohen për atë që kanë vepruar.” (El-En’am, 120).
Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku / https://udhezimi.com/