Pyetja:
Kur e fali namazin shpeshherë më lindin dyshimet se e kam një rekat mangu, a duhet të falem përsëri apo jo?
***
Përgjigjja:
Falenderimi i takon Allahut kurse salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarit e tij,Muhamedin ﷺ.
Dyshimet në namaz rreth numrit të rekateve janë të mundshme dhe dijetarët flasin rreth tyre. Pra kjo nuk është gjë e re në rregullat e islamit dhe si e tillë nuk duhet të na habis e as të na mërzitë. Fillimisht ju duhet ta falni namazin kjo është gjëja më e rëndësishme pastaj duhet të mundoheni maksimalisht të mbani përkushtimin në të dhe vëmendjen gjatë faljes.
Por nëse ndodhë që njeriu të ketë dyshime se ka lënë mangu apo ka shtuar një rekat atëherë duhet të veprojë si në vijim:
-Duhet të mundohet maksimalisht që të rikujtojë gjendjen e tij se në cilin rekat është duke u falur.
-Nëse nuk i kujtohet rekati atëherë punon me mendimin se nga cila anë i anon më shumë mendimi i tij nëse arrin që të anoj mendja kah njëra anë më shumë atëherë punon me të..
-Nëse nuk është në gjendje të anoj në mendimin kah njëra anë atëherë për të mos u vonuar brenda namazit dhe për të mos mbetur keq vendos diçka pa marrë parasysh edhe pse nuk i anon mendja më shumë në të, por vendos për shembull se është në rekatin e tretë dhe e vazhdon edhe një rekat duke mos e munduar veten më shumë rreth kësaj çështje pasi e ka dhënë maksimumin e tij në përpjekje për të arritur tek mendimi më i saktë.
Pasi të ndërmarr këtë hap të fundit ai nuk duhet të mendoj akoma brenda namazit për këtë çështje sepse kjo do t’ia humbë koncentrimin edhe më tej në namaz gjë e cila është prej shejtanit.
Pas ndërmarrjes së këtyre hapave të radhitur njëri pas tjetrit siç i kam përmendur më lartë ai nuk duhet të mërzitet e as të bëhet vesvese apo të ketë dyshime rreth atij namazi e as nuk duhet ta përsëris atë namaz sepse të gjitha këto janë dyshime dhe cytje të shejtanit, porse duhet të qendroje i bindur dhe i qetë në atë që e ka vepruar sepse ky është udhëzimi Islam në këtë rast dhe se njeriu duhet të mundohet sipas mundësive të tij duke mos u munduar me gjërat që nuk i ka në dispozicion sepse Allahu askënd nuk e obligon përtej mundësive të tij.
Allahu e di më së miri!
Lulzim Susuri