Pyetja:

Djali i axhës ka pësuar në një aksident dhe mjekët kanë thënë se përqindja e  shërimit të plotë është vetëm 50%. Një person na këshilloi të therim një cjap kurban për Allahun. Pyetja është a lejohet një vepër e tillë?

***

Përgjigjja:

Nëse kurbani therret në emër të Allahut dhe qëllimi është që një pjesë nga mishi i tij t’u shpërndahet të varfërve dhe atyre që kanë nevojë si lëmoshë, vepra e këtillë nuk është e ndaluar. Është transmetuar se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Mjekoni të sëmurit tuaj me sadaka.” [1]

Janë pyetur dijetarët e komisionit të përhershëm për fetva: ‘Na nderoni Allahu ju ruajt me shpjegim lidhur me kuptimin  e hadithit: “Mjekoni të sëmurit tuaj me sadaka.” të cilin e transmeton Bejhakiu (3/382) dhe të cilin si të dobët e vlerësojnë shumë dijetarë. Neve në veçanti na intereson çështja e therrjes së kurbanit për shëndet, a është e ligjshme një vepër e tillë nëse synojmë largimin e sprovës?

Komisioni u përgjigj: “Hadithi i përmendur nuk është autentik por nuk ka asgjë të keqe të jepet sadaka për të sëmurin me qëllim të afrimit pranë Allahut dhe me shpresë se Allahu do ta përshpejton shërimin e tij. Këtë e vërtetojnë argumentet e përgjithshme që flasin për vlerën e sadakasë si hadithi në të cilin thuhet se: “Sadakaja e shuan mëkatin dhe largon vdekjen e keqe.” [2]

Ibën Xhibrini (Allahu e mëshiroftë), ka thënë: “Sadakaja është mjekim i dobishëm, shëron sëmundjet, i lehtëson dhimbjet dhe ky qëndrim mbështetet në hadithin: “Sadakaja e shuan mëkatin ashtu siç e shuan uji zjarrin.” [3] Kjo është kështu sepse ndoshta disa sëmundje janë dënim për ndonjë mëkat që e ka bërë i sëmuri dhe duke dhënë sadaka fshihet mëkati që ka qenë shkak i sëmundjes dhe kështu largohet edhe sëmundja. Sadakaja e dhënë, shkruhet si sevap dhe e gjallëron zemrën dhe kur zemra gjallëron me iman lehtësohet vështirësitë e sëmundjes.” [4]

Si përfundim themi se nuk është e ndaluar të therret një kurban për hir të Allahut dhe të shpërndahet si sadaka në emër të sëmurit me shpresë se kjo sadaka do të përshpejton shërimin e tij. Ajo që nuk lejohet është të caktohet ndonjë lloj i veçantë i bagëtisë që do të therret si për shembull duhet të therret cjap, dem apo ndonjë kafshë të caktuar me cilësi të caktuara. Mjafton që kafsha që therret të jetë prej kafshëve që i plotësojnë kushtet që të therren për kurban. Allahut i takon dija e plotë.

Përktheu: Talha Kurtishi

—————————————————————

[1] Ebu Davudi në Merasil, Taberaniu, Bejhakiu dhe të tjerë nga një grup i as’habëve me senede të dobëta. Imam Albani të njëjtin e ka vlerësuar si hasen li gajrihi (i mirë për shkak të transmetimeve që e përforcojnë) në librin e tij Sahih Tirmidhi nr. 744.

[2] Fetvatë e Komisionit të Përhershëm 24/441.

[3] Ahmedi, 3/399.

[4] Fetva lidhur me Çështjet Mjekësore, vëllimi 2, pyetja nr. 15.