Pyetja:

Kam dëgjuar se abdesi është i plotë dhe i vlefshëm me përshkimin e borës në pjesët e trupit në vend të ujit. A është e vërtetë kjo?

***

Përgjigjja:

Fillimisht them se uji i shiut, i borës dhe i breshrit konsiderohet i pastër, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

Ne kemi zbritur nga qielli ujë të pastër.” (Furkan: 48)

Si dhe në thënien e të Dërguarit të Allahut ﷺ, gjatë lutjes së tij në fillim të namazit: “O Allah, pastroji mëkatet e mia (ashtu siç pastron natyrën) me borë, me shi dhe me breshër!” [1]

Juristët muslimanë janë unanimë sa i përket lejimit të pastrimit me ujin e borës nëse bora shkrihet, ndërsa sa i përket përdorimit të borës para shkrirjes, ata ndajnë mendime të ndryshme. Shumica e juristëve muslimanë (hanefitë, malikitë dhe hanbelitë) mendojnë se nuk lejohet pastrimi me borë para shkrirjes, përderisa nuk pikon dhe nuk rrjedh nëpër gjymtyrët e trupit. Juristi i njohur hanefi, Ibën Abidin, thotë: “Papastërtia mënjanohet me ujin e përgjithshëm (të zakonshëm) absolut, si: uji i qiellit, lumenjve, puseve, deteve dhe i borës së shkrirë në mënyrë që të pikojë…” [2]

Sipas këtyre dijetarëve, me marrjen e borës dhe përshkimin e gjymtyrëve të trupit me të nuk arrihet pastërtia, edhe nëse lagen pjesët e trupit; obligim është larja e tyre, e më e pakta është që uji të lëvizë në pjesët e trupit, me përjashtim nëse bora është e butë, shkrihet dhe uji i saj lëviz nëpër pjesë të trupit, atëherë pastrimi është i vlefshëm.

Grupi i dytë i dijetarëve (në mesin e tyre edhe Ebu Jusufi) mendojnë se lejohet pastrimi me borë edhe nëse nuk pikon, përderisa lagen gjymtyrët. E ky mendim i dytë më fle në zemër më shumë, sepse Allahu nuk ngarkon më shumë sesa mund ta bartë njeriu. Kur përdoret bora nëpër gjymtyrët e abdestit zakonisht shkrihet pak dhe laget gjymtyra, e kjo inshaAllah mjafton. Andaj është mirë që nëse bora është e terur, të mundohemi pak t’i fërkojmë duart dhe fytyrën paraprakisht që të nxehen, e pastaj kur bora e prek trupin e ngrohtë nëse është e terur, e lag gjymtyrën. Këtë mendim kanë edhe Hasen Basriu, Evzaiu dhe shumë të tjerë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————————

[1] Buhariu, nr. 744; Muslimi, nr. (598) 147.

[2] Redd el-Muhtar ala ed-Durr el-Muhtar Sherh Tenvir el-Ebsar, 1/324.