Pyetja:

Jam e sëmurë dhe duhet të operohem, por nuk kam të holla. A është mëkat të marr kredi, ngase operacionin e kam urgjent?

***

Përgjigjja:

Marrja e kredisë nga bankat që veprojnë me kamatë është e ndaluar, ngase kamata në Islam konsiderohet prej mëkateve të mëdha shkatërruese.

Prej vlerave madhështore të Islamit është se ka rregulla dhe parime që në çdo situatë japin zgjidhje për problemet e përditshme. Prej këtyre parimeve madhështore është edhe rregulla e sheriatit që na mëson se lejohet kryerja e ndalesave–haramit në rast se bëhet nën presionin e dhunës apo për shkak të detyrimit-nevojës së domosdoshme (darures). Allahu i Lartësuar thotë:

(Allahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngordhëtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret (ngrihet zëri me të) jo në emër të Allahut. E kush shtrëngohet (imponohet, e detyrohet të hajë nga këto gjëra të ndaluara) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet Allahu fal, është mëshirues.” (Bekare: 173).

Gjithashtu thotë Allahu:

“Ç’keni ju që të mos hani nga ajo për të cilën është përmendur emri i Allahut, e Ai ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni detyruar (të imponuar, atëherë edhe harami është hallall). Një shumicë (e mohuesve), duke mos pasur kurrfarë dije, por vetëm nga pasionet e tyre, duan t’i largojnë nga e vërteta (njerëzit). Po Zoti yt di më së miri për ata që i shkelin dispozitat.” (En’am: 119)

Për lejimin e marrjes së kredisë me kamatë është e nevojshme të kuptohen këto tri gjëra:

1. Detyrimi, nevoja e domosdoshme në çështjen e kamatës vjen në shprehje për huamarrësin e jo për huadhënësin, ngase nuk mund të vijë asnjë situatë që e detyron huadhënësin të marrë kamatë, ndryshe nga huamarrësi, i cili mund të gjendet në vështirësi dhe kriza emergjente të ndryshme që ia imponojnë marrjen e kredisë me kamatë. Huamarrësit në rastet kur ka ndonjë nevojë të domosdoshme i lejohet të marrë borxh me kamatë, ndërsa pesha e mëkatit është mbi huadhënësin dhe jo mbi huamarrësin.

2. Shkaku që e shtyn huamarrësin me kamatë të veprojë haramin duhet të jetë detyrimi, nevoja e domosdoshme, e jo ndonjë nevojë që nuk ka rëndësi jetike. Detyrimi apo nevoja e domosdoshme vjen në shprehje në rast të shkaktimit të dëmit në fenë, trupin, mendjen, nderin apo pasurinë e tij. Nëse i kanoset rreziku i sigurt i dëmtimit të njërës prej këtyre pesë nevojave të domosdoshme, atëherë lejohet kryerja e haramit, duke u bazuar në rregullën e fikhut: ”Nevoja e domosdoshme (darure) e lejon të ndaluarën” dhe në rregullën: ”Nevoja e domosdoshme (darure) vlerësohet (përcaktohet) në bazë të sasisë së saj”.

Nevojë e domosdoshme nuk konsiderohet vështirësia e cila mund të përballohet, por konsiderohet gjendja e vështirë e cila shkakton shkatërrimin, dëmtimin e ndonjë gjymtyre të trupit, sëmundje të pashërueshme, etj.

3. Duhet të ekzistojë bindja e plotë që nëse nuk kryhet harami (në këtë rast marrja e kredisë me kamatë), dëmi nuk mund të eliminohet (në këtë rast është bërja e operacionit), e jo të ketë supozime.

Ju këshillojmë që para se të vendosni për të marrë kredi me kamatë, ju duhet të përpiqeni të gjeni mënyra të tjera që do t’ju mundësonin kryerjen e operacionit. Nëse ju mbyllen të gjitha dyert dhe nuk keni ndonjë rrugëdalje tjetër, atëherë lejohet të merrni kredi me kamatë, mirëpo ju lejohet të merrni kredi për shumën që ju nevojitet për kryerjen e operacionit dhe jo t’i përdorni paratë e kredisë për gjëra të tjera që nuk janë në kategorinë e nevojës së domosdoshme. Po ashtu në momentin e parë që ju mundësohet kthimi i kredisë, duhet ta ktheni sa më shpejt. Allahu i Lartësuar thotë:

“Andaj, sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut, dëgjoni, respektoni dhe jepni për të mirën tuaj, e kush i ruhet lakmisë së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit.” (Tegabun: 16)

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi