Pyetja:

Eselamu alejkum ue rahmetullahu ue berekatuhu!
Desha të më jepnit një këshillë. Nuk po kam fat në jetë, më fajësojnë edhe pse s’kam faj. Ju lutem më tregoni çfarë duhet të bëj?
Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pyetja juaj është e përgjithësuar, prandaj nuk e kemi të qartë a është fjala për fatin për një çështje të caktuar si martesa, apo është fjala për të gjitha gjërat. Sido që të jetë, nuk është e drejtë kjo mënyrë të menduari për vetën, pa marrë parasysh a është fjala për martesë apo në përgjithësi. Të menduarit negativisht për gjërat duke ngjallur pesimizëm në vete dhe duke ngritur paragjykime është i papranueshëm për besimtarin. Muslimani duhet ta kuptojë se të gjitha gjërat janë në dorë të Allahut dhe Ai në caktimin e Tij nuk i bën padrejtësi askujt. Ju këshillojmë të largoni nga vetja këto ide dhe të keni mendim të mirë për Allahun e Lartësuar dhe ta kuptoni se i Gjithëdijshmi për të gjitha gjërat; çfarë është mirë dhe çfarë është keq për ne, është Allahu i Lartësuar. Ai thotë: “Por, mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.” (Bekare, 216). Gjithashtu thotë: “… është e mundur që juve diçka të mos u pëlqejë, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” (Nisa, 19)

Nëse njeriu i mbështetet Allahut të Gjithëdijshëm, i dorëzohet Atij për çdo vendim dhe çdo punë në jetë, por gjithmonë duke i bërë sebepet dhe duke u angazhuar, atëherë Ai nuk e humb robin e Tij dhe nuk ia zhvlerëson mundin. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u dobësoni dhe mos u dëshpëroni (pikëlloni), se ju gjithsesi jeni më të lartë, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Ale Imran, 139)
Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi