Ka ardhur në hadithin e El Bera ibn Azib – radijAllahu anhu – fjala e Profetit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kthehet shpirti i tij (i të vdekurit) në trupin e tij dhe i vijnë dy engjëj.”[1]

Në dy librat e saktë të hadithit[2] transmetohet prej hadithit të Katades, nga Enesi radijAllahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur i vdekuri vendoset në varrin e tij dhe shokët (të afërmit) e tij largohen, ai dëgjon zhurmën e nallaneve (këpucëve) të tyre, i vijnë atij dy engjëj, e ulin atë[3] dhe i thonë: “Çfarë thoshe për këtë burrë, Muhamedin?” Besimtari thotë: “Dëshmoj se ai është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij.” Tha: I thonë: “Vështro tek vendi yt në Zjarr. Allahu ta zëvendësoi atë me një vend në Xhenet”. I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – tha: “Dhe ai i sheh të dy vendet”. Tha: “Ndërsa jobesimtarit dhe munafikut (hipokritit), engjëjt do t’i thonë: “Çfarë thoshe për këtë burrë?” Thotë: “Nuk e di. Thosha atë që thoshin njerëzit.” I thonë atij: “Kurrë mos ta dish”. Pastaj goditet me një çekan prej hekuri ndërmjet veshëve të tij dhe ulërin aq fort sa e dëgjojnë të gjithë, përveç njerëzve dhe xhinëve.”

Në një hadith tjetër te “Sahihu Ibën Hatim[4] thuhet: “I vijnë atij dy engjëj të zinj në blu, njërin prej të cilëve e quajnë Munker dhe tjetrin Nekir.”

Në një hadith tjetër që gjendet në “El Musned[5] dhe në “Sahihu Ibën Hatim[6] nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kur i vdekuri vendoset në varr, ai i dëgjon zhurmat e nallaneve (këpucëve) të njerëzve kur largohen. Nëse ai ka qenë besimtar, namazi do t’i qëndrojë te koka, agjërimi nga ana e djathtë dhe zekati nga ana e majtë. Ndërsa veprat e mira si: sadakaja, lidhja farefisnore, mirësia dhe bamirësia ndaj njerëzve do t’i qëndrojnë te këmbët.
Do t’i shkohet (vijë dënimi) nga ana e kokës, por namazi do të thotë: ‘Këtej nuk futesh dot’. Pastaj do t’i shkohet nga e djathta e tij, por agjërimi do të thotë: ‘Këtej nuk futesh dot’. Pastaj nga e majta e tij dhe zekati do të thotë: ‘Këtej nuk futesh dot’. Pastaj do t’i shkohet nga ana e këmbëve, por veprat e mira si: sadakaja, lidhja farefisnore, mirësia dhe bamirësia do të thonë: ‘Këtej nuk ka hyrje’. Do t’i thuhet atij: ‘Ulu’! Dhe ulet. E do t’i përfytyrohet dielli sikur të ishte në të perënduar. I thuhet atij: “Çfarë thua për këtë person që është (dërguar) te ju? Dhe çfarë dëshmon?” Thotë: Më lini deri sa të falem’. I thonë: ‘Ti do të falesh. Na trego për atë që të pyesim’…”
 hadithi.

Këto hadithe dhe çfarë transmetohet në lidhje me këtë argumentojnë për disa çështje:

1. Pyetjet bëhen kur i vdekuri vendoset në varrin e tij. Në të ka dhe kundërpërgjigje ndaj bidatçinjve si puna e Ebu el Hudhejl dhe Merijsi, të cilët thonë: Pyetjet do të bëhen mes dy fryrjeve të Surit.

2. Emërtimi i dy engjëjve me emrat Nekir dhe Munker. Në të ka kundërpërgjigje ndaj mu’tezilive që mendojnë se nuk lejohet që dy engjëjt të quhen me këto emra. Ndërsa hadithin që tregon për këtë, e komentuan duke thënë se  Munker: është belbëzimi i të vdekurit kur pyetet, ndërsa Nekir: qortimi i engjëjve ndaj tij.

3. Shpirti i të vdekurit i kthehet atij në varr në kohën kur engjëjt e pyesin, e ulin dhe ai do të flasë. Në këtë ka kundërpërgjigje ndaj Ebi Muhamed bin Hazmi (Allahu e mëshiroftë!), i cili e ka mohuar një gjë të tillë.[7] Përveç nëse ai ka pasur për qëllim me këtë, mohimin që kjo të jetë si jeta e zakonshme në dynja, atëherë kjo është e saktë, ngase kthimi i shpirtit në trupin e të vdekurit nuk është si kthimi i tij në jetën e kësaj dynjaje. Edhe pse në disa aspekte mund të jetë më e plotë, si p.sh. rilindja në botën tjetër nuk është e njëjtë me atë të kësaj bote, edhe pse është më e plotë se kjo. Përkundrazi, çdo etapë në këtë dynja, në Berzah dhe Ditën e Kiametit ka gjykim të veçantë. Prandaj Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka lajmëruar se të vdekurit do t’i zgjerohet varri dhe do të pyetet e të tjera, e të  tjera prej këtyre gjërave, edhe pse dheu mund të mos ndryshojë. Por shpirtrat kthehen tek trupat e të vdekurve dhe pastaj ndahen prej tyre.

“El Irshad ila sahihih el i’tikad”

https://udhaebesimtareve.com/
Shejh Salih el Feuzani – Allahu e ruajjtë:
Përktheu: Unejs Sheme

[1]Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, El Hakimi, Ebu Auaneh në “Sahihat” e tyre dhe Ibën Hibani.

[2]Buhariu (1338) dhe Muslimi (2870).

[3]Ky është argument se i vdekuri ulet në varrin e tij kur engjëjt e marrin në pyetje. Forma dhe mënyra se si e ulin, futet te çështjet e gajbit (të fshehtës). Por ne e besojmë këtë. Imam El Berbeharij (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij “Sherhus Sunneh” thotë: “Besimi se i vdekuri merret dhe ulet në varrin e tij, pastaj Allahu i dërgon (kthen) atij shpirtin për t’u pyetur nga Munkeri dhe Nekiri, për besimin dhe degët e tij, e pastaj (nëse përgjigjet saktë) e nxjerrin shpirtin e tij pa dhimbje.”(sh.p.)

[4](7386 me nr. 3117) prej hadithit të Ebu Hurejrës radijAllahu anhu.

[5](2/347 me nr. 8563).

[6](7/380 me nr. 3113).

[7] “El Muhala” (1/21-22).