Pyetja:

Jam e interesuar ta di se a është mirë me u falë gjatë natës, sipas njohurive që kam, dy rekate kah mesnata. Cila është koha më e preferuar për këtë namaz dhe si duhet të falet ky namaz? Më kanë thënë që ky namaz është vetëm për t’u lutur për Allahun.

***

Përgjigjja:

Sa i përket namazit të natës, transmetohet nga Ajshja r.a. se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ i falte tetë rekate dy nga dy (d.m.th. jepte selam pas çdo dy rekateve) dhe e përfundonte me tri rekate vitër. Ky ka qenë namazi i Muhamedit, ﷺ, gjatë natës thotë Ajshja r.a. Por, ju mund të faleni sa te doni dy, katër, apo më shumë rekate por më mirë është që të jepni selam pas çdo dy rekateve. Gjithashtu, ky namaz duhet të falet vetëm për Allahun. Çdo vepër e muslimanit apo muslimanes duhet të bëhet vetëm për Allahun, por, të lejohet ty që të bësh lutje, pas namazit apo në duanë e vitrit, për vete, për prindërit, për të afërmit, etj. dhe për çkado që dëshironi (por që nuk është në kundërshtim me Kuran dhe sunnet).
Në një hadith i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Allahu zbret çdo natë në qiellin e dunjasë (kësaj bote) në pjesën e tretë  të natës dhe thotë: ‘A ka ndonjë gabimtar që është penduar t’ia pranoj pendimin, a ka ndonjë që kërkon falje që t’ia fali mëkatet, a ka ndonjë që kërkon diçka që ti përgjigjem,’ e vazhdon kështu deri në kohën e mëngjesit.“Sa i përket zbritjes së Allahut në qiellin e dunjasë dijetarët e Elhu-Sunetit janë të pajtimit se duhet t’i besohet ashtu siç ka ardhur në transmetime. Për këtë është pyetur edhe imami i Medines, imam Maliku, në kohën e tij dhe është përgjigjur: Zbritja është e ditur (pra ndodhë), mënyrën se si nuk e di askush, të besosh për këtë është obligim (se zbret), të pyetësh (për mënyrën) është bidat. (risi, pra, shokët e Muhammedit, ﷺ, nuk kanë pyetur se si ndodh kjo.)

Allahu e di më së miri!

Bedri Robaj