Pyetja:
Dua ta ndajë pasurinë mes fëmijëve. Unë kam disa fusha dhe vende për ndërtim të shtëpive. Këto ua ndajta djemve të mi, por disa prej tyre nuk u pajtuan duke thënë se të gjitha vendet nuk e kanë vlerën e njejtë, edhe pse kanë sipërfaqe të njejtë. Unë u nervozova dhe thashë se ky është malli im, n’daqi merrni këtë që ua dhuroj, e nëse jo largohuni, ju nuk keni asnjë hak. Pyetja ime është se a mund t’ua ndajë këto vende si dhuratë prej meje, si ta shoh të arsyeshme, apo duhet të jenë të gjithë të barabartë?
***

Përgjigjja:

Është e vërtetë se ndarja e pasurisë është ndër problemet më të shpeshta dhe më të ndërlikuara në mesin e popullatës tonë. Gjatë ndarjes së pasurisë bëhen gabime të mëdha nga ana e prindërve, gabime këto që vijnë si rezultat i mosnjohjes së parimeve fetare në këtë drejtim.Në rastin konkret, të them fillimisht se lejohet derisa është prindi gjallë, të bëjë ndarjen e pasurisë mes fëmijëve të tij, djem dhe vajza, me pëlqimin e tyre. Mirëpo, në ndarjen e pasurisë duhet të kihet kujdes që ndarja të bëhet drejtë, pra sipas parimeve Islame. Nga pyetja kuptohet se prindi ka vetëm djem, jo edhe vajza, në këtë rast, ndarja e pasurisë duhet të bëhet e barabartë mes djemve të tij, normalisht duke i patur parasyshë pozicionet e vendeve, sepse është shumë e vërtetë se ndonji vend ka çmim më të lartë për meter katror, e ndonji vend tjetër çmim më të ulët. Dikund mund të happen locale afariste, dikund ndoshta nuk është vendi i përshtatshëm edhe për shtëpi.

Së këndejmi, prindi duhet të jetë i drejtë, dhe kjo drejtësi manifestohet si në sasi, poashtu edhe në cilësi, nëse nuk mund të arrihet marrëveshje, si rezultat i dallimit të vendeve në cilësi, gjegjësisht çmim shitës, shiten vendet dhe pastaj ndahen mjetet si duhet në mes vëllezërve.

Padrejtësia në asnji mënyrë nuk duhet të jetë pjesë e ndarjes së pasurisë, dhe prindi nuk guxon të thotë se kjo është pasuria ime dhe unë bëj çka të dua, nëse veç është marrë vesh me djemt e tij që ta ndajë pasurinë për së gjalli, sepse kjo e merr tretmanin e trashegimisë, edhe pse ai është gjallë. Po edhe nëse është dhuratë nga ana e prindit, nuk guxon të ketë padrejtësi, apo favorizim të ndonjërit djalë, pa të drejtë.

Pejgamberi ﷺ i ka porositur prindërit që të jenë të drejtë ndaj fëmijëve të vetë. Ai ﷺ thotë:”Kini frikë Allahun, dhe jini të drejtë ndaj fëmijëve tuaj.”

Poashtu, në një rast, e thirrën që të jetë dëshmitar për një dhuratë që prindi ia kish dhënë njërit prej fëmijëve të vetë. Me këtë rast, i Dërguari i Allahut ﷺ e pyeti prindin: ”A të gjithë fëmijëve u ke dhënë dhuratë?”. Prindi tha: Jo, vetëm njërit. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha:”Thirr dikë tjetër të dëshmojë për këtë ndarje, se unë nuk dëshmoj për padrejtësi.”

Për këtë, çdo prind duhet të jetë i drejtë kur e ndanë pasurinë derisa është gjallë vetë, dhe nuk duhet të bëjë padrejtësi, si në ndarje të pasurisë, poashtu edhe në dhurata, me përjashtim nëse për këtë ka ndonjë shkak legjitim.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu