Pyetja:

A është e lejuar të ndërtohet varri me mermer dhe të përkujtohet i vdekuri nëpër gazeta?

***

Përgjigjja:

Fillimisht themi se Islami ashtu siç e nderon njeriun kur është ende në jetë, e ka nderuar edhe pas vdekjes së tij, ngase shenjtëria e të vdekurit është sikurse shenjtëria e të gjallit. Pastrimi i të vdekurit, mbulimi me qefinë të parfumuar, falja e namazit të xhenazes dhe lutja për të vdekurin, ndalimi i të ulurit mbi varr si dhe forma e varrimit të tij janë disa prej veprimeve që dëshmojnë nderimin dhe respektimin e njeriut të vdekur. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Të ulet ndonjëri prej jush në gacën e zjarrit e t’i digjen rrobat deri në atë masë sa t’i digjet edhe lëkura është më mirë për të sesa të ulet mbi varr.” [1]

Në anën tjetër, Islami kërkon prej pasuesëve të tij që të shfaqin modesti dhe thjeshtësi në të gjitha sferat e jetës. Për këtë arsye Islami i ndalon harxhimet e tepërta për gjëra të panevojshme dhe që nuk kanë vlerë.

Varri i një muslimani duhet të jetë i thjeshtë, i mbuluar vetëm me dhe që është nxjerrë prej varrit të tij. Ngritja dhe ndërtimi mbi varreza me beton apo mermer, rrethimi i varrit me rrethoje të hekurta, vendosja e fotografisë së të vdekurit në mermer si dhe veprime të ngjashme me këto konsiderohen harxhime të kota që nuk kanë kurrfarë vlere dhe janë në kundërshtim të plotë me parimet islame dhe si të tilla janë të ndaluara (haram).

Xhabiri r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ “ka ndaluar ngritjen e varrit, të ulemi mbi varre dhe të ndërtojmë mbi to.” [2]

Ebu el-Hejaxh el-Esedij thotë: “Ali bin Ebi Talibi më ka thënë: “Po të dërgoj me ato porosi me të cilat më ka porositur mua i Dërguari i Allahut ﷺ: “Çdo idhull (put) ta shkatërrosh dhe çdo varr të ngritur ta rrafshosh.” [3]

Rrafshimi i varrit të ngritur do të thotë të jetë i njëjtë me varret e tjera. Ngritja e varreve, rrethimi i tyre dhe veprimi i gjërave të tjera të ndaluara të cekura më lart jo vetëm që janë gjynah i madh për të gjallët, por e kanë rëndë edhe të vdekurit nëse ua kanë lënë amanet një gjë të tillë, apo i kanë dëgjuar bijtë e tyre se do t’ia bëjnë varrin kështu e ashtu babait të tyre apo gjyshit kur të vdesë dhe nuk i kanë ndaluar apo nuk ua tërheqin vërejtjen. Në këtë rast edhe vetë në varr rëndohet e ngarkohet.

Nëse e kërkon nevoja që të vendosim ndonjë shenjë me qëllim që ta dimë vendndodhjen e varrit të të afërmit tonë, si fjala vjen një gur te koka e tij, disa dijetarë e kanë lejuar që të shkruhen të dhënat që e identifikojnë të vdekurin, pa bërë teprime të tjera.

Në hadith të vërtetë ka ardhur se i Dërguari i Allahut ﷺ me rastin e varrimit të Uthman bin Medh’unit ka vendosur një gur te koka e tij dhe ka thënë: “Me këtë gur e mësoj vendndodhjen e varrit të vëllait tim, ashtu që kur të vdesin të afërmit e mi, t’i varros afër tij.” [4]

Ndërsa sa i përket përkujtimit të të vdekurit në gazeta, këtu janë dy raste:

  1.  Lajmërimi në gazeta apo në media për vdekjen e ndonjë personi me qëllim të njoftimit të të afërmve, miqve e dashamirëve. Ky lloj lajmërimi është i lejuar, ngase synohet që të arrihet pjesëmarrja sa më e madhe në namazin e xhenazes dhe që pa dyshim ka dobi i vdekuri si dhe ngushëllohen të afërmit e të vdekurit.
  2.  Përkujtimi nëpër gazeta me rastin e ditëve të caktuara me tekste dhe thënie që në vetvete përmbajnë vajtim, siç është traditë në kohën tonë, që bëhet në faqet e fundit të gazetave ditore. Kjo vepër është risi (bidat), është harxhim i kotë i pasurisë dhe si e tillë është e ndaluar në Islam.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————–

[1] Muslimi, nr. (971) 96.
[2] Muslimi, nr. (970) 94.
[3] Muslimi, nr. (969) 93.
[4] Ebu Davudi, nr. 3206. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen”.