Ramadan Kareem greeting card, invitation. Bronze plate with dates fruit, baklava pastry, burning silver Moroccan, Arabic lantern on white table. Iftar dinner, Glittering lights. Eid ul Adha background

 

Në cilën moshë obligohet agjërimi

88. I nderuar hoxhë! Prej cilës moshë duhet të fillojë agjërimi për vajza dhe për djem?

Përgjigjja: Çdo person, mashkull apo femër, nuk konsiderohet i ngarkuar me përgjegjësi fetare para moshës madhore. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Lapsi është ngritur (nuk shënohen vepra) për tri kategori: për fëmijën derisa të hyjë në moshën madhore, për të fjeturin derisa të zgjohet dhe për të sëmurin mental derisa të shërohet.”[1]

Arritja e moshës madhore për të dyja gjinitë mund të kuptohet nëpërmjet tri shenjave:

a) ejakulimi zgjuar apo në ëndërr,

b) dalja e qimeve të vrazhda rreth organeve intime,

c) arritja e moshës 15-vjeçare për të dyja gjinitë.

Kurse dy shenja janë të veçanta vetëm për femra:

a)paraqitja e të përmuajshmeve-menstruacioneve.

b)shtatzënia.

Çdo djali apo vajze që i paraqitet njëra prej këtyre shenjave konsiderohet i/e ngarkuar me përgjegjësi fetare, andaj obligohet me kryerjen e të gjitha obligimeve dhe largimin prej të gjitha ndalesave, në këtë rast obligohet edhe me agjërimin e muajit Ramazan.

Mirëpo prindërit obligohen që në vegjëli t’i ushtrojnë fëmijët e tyre në kryerjen e obligimeve dhe largimin prej ndalesave, me qëllim që kur të arrijnë moshën madhore të mos kenë vështirësi për kryerjen e obligimeve fetare. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj me namaz kur janë shtatë vjeç, kurse kur mbushin dhjetë vjeç, nëse ata nuk falen, përdorni ndëshkime dhe ndajini në shtretër të veçantë.”[2]

Transmetohet nga sahabët se kur fëmijët e tyre gjatë agjërimit u kërkonin ushqim, ata i mashtronin me lodra me qëllim që ta plotësonin agjërimin deri në fund të ditës[3].

Dijetarët kanë thënë se fëmijët edhe pse nuk kanë përgjegjësi, pra nuk janë të obliguar, kujdestarët e tyre kanë përgjegjësi për ta, prandaj nuk u lejohet atyre t’u mundësojnë kryerjen e ndalesave, ngase nëse rriten duke bërë mëkate, atëherë kur të hyjnë në moshën madhore do ta kenë të vështirë largimin nga veprat e këqija.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 4402; Tirmidhiu, nr. 1423; Ibn Maxhe, nr. 2041; Nesaiu, nr. 3432. Albani ka thënë: “Hadithi është sahih”.

[2] Ebu Davudi, nr. 495. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.

[3] Buhariu, nr. 1960; Muslimi, nr. (1136) 136.