Pyetja:
Nëse imami këndon me zë në namazin e drekës apo një pjesë të saj këndon me zë pastaj ndalet, a duhet bërë sevi sexhde?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Leximi me zë në namazin e sabahut, akshamit dhe jacisë, respektivisht leximi pa zë në namazin e drekës dhe ikindisë është nga karakteristikat e namazeve me xhemat. Kështu që nëse njeriu falet pa xhemat, ai është i lirë të zgjedhë të falet me zë apo pa zë, megjithëse nëse respekton rregullin sikurse gjatë faljes me xhemat është e preferuar.
Ndërsa, nëse imami nga harresa këndon me zë në namazet pa zë, apo në namazet me zë këndon pa zë, atëherë a obligohet me sexhde të harresës, është temë diskutimi te dijetarët.
Mendimi i shafive dhe hanbelive është se nuk kërkohet sevi sexhde pasi leximi me zë respektivisht pa zë është sunet në namaz.
Mendimi i hanefive dhe malikive është se imami obligohet ta bëjë sevi sexhden nëse e lë këtë nga harresa.
Pa u zgjeruar shumë në këtë themi se e sakta është se respektimi i këtij rregulli për imamin është vaxhib ashtu si ka përzgjedhur medhebi hanefi, pasi vetë praktika e vazhdueshme e Muhamedit ﷺ në këtë aludon se leximi me zë respektivisht pa zë për imamin është i kërkuar në namazin me xhemat. Prandaj, nëse imami e lë këtë nga harresa, obligohet me sehvi sexhde. Gjithashtu xhemati është i obliguar t’ia tërheqë vërejtjen imamit nëse harron.
Mirëpo, nëse imami gjatë namazeve pa zë lexon një fjalë apo edhe një ajet pak me zë që të dëgjojë xhemati nganjëherë, në këtë nuk ka të keqe dhe nuk ka nevojë për sexhde, pasi i Dërguari i Allahut, ﷺ, e bënte këtë nganjëherë.
Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi