Pyetja:

Dëgjova një fetva nga Shejh ibn Baz në të cilën tha se, nëse një grua falet me këmbë të zbuluara, ajo duhet të përsërisë namazin. Pyetja ime është: çfarë gjykimi ka namazi që e kam kryer para se të dija këtë rregull? Çfarë më duhet të bëj tani? A duhet të përsërisë namazin? Nëse nuk e di numrin e namazeve që kam falur në këtë mënyrë, çfarë duhet të bëj?

***

Përgjigjja:

Lëvdatat i takojnë Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.

Së pari:
Dijetarët (Allahu i mëshiroftë) nuk kanë pasur të njëjtin mendim lidhur me rregullin nëse një grua duhet të mbulojë këmbët e saj gjatë faljes së namazit. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se është obligim për një grua të mbulojë këmbët e saj përderisa falet. Shejh ibn Bazi anonte kah ky mendim. Mendimi tjetër është se (mbulimi i këmbëve) nuk është i obligueshëm. Ky është mendimi i Hanefive dhe mendimi i përzgjedhur nga Shejh el-Islam Ibn Tejmijeh. Edhe shejh Ibn ‘Uthejmin anoi nga ky mendim. Në el-Mewsû‘ah el-Fikhijjeh (7/86) thuhet: “Sa u përket këmbëve, ato janë ‘awret (pjesë e turpshme) sipas Malikive dhe Shafive, përveç el-Mezenit. Ky, po ashtu, është mendimi i Hanbelive dhe i disa Hanefive. Shumica nga Hanefitë mbajnë mendimin se këmbët nuk janë ‘awret (pjesë e turpshme). Ky, po ashtu, është këndvështrimi el-Mezenit nga mesi i Shafive dhe i Shejh Tekij ed-Din ibn Tejmije nga mesi i Hanbelive.” Si provë për obligimin e mbulimit të këmbëve shumica citojnë transmetimin e shënuar nga  nga Umm Seleme, ku ajo e pyeti Profetin ﷺ: “A mundet një grua të kryejë namazin përderisa mban të veshur fustanin e gjatë dhe ka të mbuluar kokën, por pa pasur tjetër teshë të poshtme?” Ai tha: “Nëse fustani është aq e gjatë sa të mbulojë këmbët (atëherë kjo është në rregull).” [1]

Hatabi ka thënë: “Ky transmetim mbështet vlefshmërinë e mendimit të dijetarëve të cilët nuk e konsiderojnë të lejueshme për një grua që të kryejë namazin, nëse ndonjë pjesë e trupit të saj është e zbuluar. A nuk e shihni se ai ﷺ tha: ‘Nëse këmisha është aq e gjatë sa për të mbuluar këmbët (atëherë kjo është në rregull)’? Pra, mbulimin e tërë trupit të gruas ai e bëri kusht për vlefshmërinë e namazit.” [2]
Ata që mbajnë qëndrimin e dytë cituan si provë faktin se këmbët janë pjesë e trupit të gruas, të cilat zakonisht janë të dukshme kur ajo është në shtëpi, dhe, përveç kësaj, nuk ekziston ndonjë hadith i cili sygjeron se është e obligueshme të mbulohen këmbët. Ata iu përgjigjen hadithit të Umm Selemes  duke theksuar se është mewkûf (d.m.th., isnadi nuk kthehet deri te Profeti). Ebu Davûdi pasi e citoi hadithin, tha:
“Ky hadith ishte përcjellë nga Maalik ibn Enes, Bekr ibn Mudar, Hafs ibn Ghijaath, Ismaa‘îl ibn Xha‘fer, Ibn ebi Dhi’b dhe Ibn Is’haak nga Muhamed ibn Zejd, nga nëna e tij, nga Umm Seleme, dhe asnjëri nuk e përmendë Profetin ﷺ. Ata ia atribuuan atë Umu Selemes.”
Shejh Ibn ‘Uthejmin ka thënë: “Ibn Tejmije ishte i mendimit se tërë trupi i një gruaje të lirë është ‘awret (pjesë e turpshme), përveç asaj çfarë shihet kur ajo qëndron në shtëpinë e saj, që është fytyra, duart dhe këmbët. Ai tha: ‘Në kohën e Muhamedit ﷺ, gratë vishnin këmisha të gjata në shtëpi dhe jo secila grua kishte dy palë rroba. Andaj, nëse ndonjë pikë gjaku menstrual do të binte mbi ato rroba, ajo do të merrte ato dhe do t’i pastronte me qëllim që më pas të falej me to. Pra, këmbët dhe duart nuk konsiderohen pjesë të turpshme (awret) gjatë faljes dhe nuk janë awret në kuptimin se duhet të mbulohen në prani të personave me të cilët lejohet martesa (jo-mahrem).’ Pasi që nuk ka dëshmi definitive sa i përket kësaj çështjeje, unë ndjek mendimin e Shejh el-Islam dhe them se kjo duket të jetë e saktë, nëse nuk themi se është definitive, sepse, edhe nëse një grua ka veshur një rrobe e cila është e gjatë deri në dysheme, kur ajo të përkulet, thembrat e këmbëve të saj do të jenë të dukshme.” [3]

Së dyti:
Nëse një grua ka kryer namazin për një kohë të caktuar me këmbë të zbathura dhe nuk e ka ditur këtë rregull, ajo nuk duhet të përsërisë namazin e kryer me këmbë të zbathura, pasi që ajo arsyetohet për shkak nuk ka ditur për këtë. Por, ajo duhet të përsërisë namazin e fundit, nëse koha për të ende s’ka kaluar. Shejh Muhamed Shems el-Hakk el-‘Adhimebadi tha: “Malik ibn Enes tha: ‘Nëse një grua është falur me flokë të pambuluar apo me këmbë të zbathura, ajo duhet të përsërisë atë namaz, nëse koha e tij akoma nuk ka kaluar.” [4]
Shejh ‘Abd el-‘Aziz ibn Baz dha dy fetwa, njërën me anëtarët e Komisioni të Përhershëm për Fetva, të cilin e kryesonte vetë, dhe tjetrën si personale të tijën, e cila ishte nga përmbledhja e Fetaawa Nûr ‘ala ed-Derb. Të dy fetwatë tregojnë se, nëse gruaja nuk është në dijeni rreth këtij rregulli, ajo nuk duhet të përsërisë namazin.
Në Fetaawa el-Lexhneh ed-Daa’imeh, voll. 2 (5/143) thuhet: “Dëgjova në një emision fetar se nuk lejohet që gruaja të falet me këmbë të zbathura. Çfarë thotë rregulli?”
Ata u përgjigjën: “Gruaja duhet të mbulojë tërë trupin e saj, kur të hyjë në namaz, përfshirë dhe këmbët, të cilat duhet të mbulohen. Sa i përket fytyrës, mund të zbulohet, nëse nuk ka jo-mahremë aty pranë. Nëse ajo ka falur namaz me këmbë të zbuluara, ajo është e arsyetuar – in sha Allah – pasi që nuk ka qenë në dijeni lidhur me këtë rregull. Dhe Allahu është burim i forcës.”
Shejh ‘Abd el-‘Aziz ibn Baaz (Allahu e mëshiroftë) tha:
“Sa i përket përsëritjes së namazit të kryer, kjo bëhet ngaqë nuk është përmbushur një kusht i namazit. Nëse ka kryer disa namaze me këmbë të zbathura, ajo duhet t’i përsërisë ato. Por, nëse ajo nuk ka qenë në dijeni lidhur këtë rregull, ndoshta Allahu do ta falë atë dhe nuk ka nevojë t’i përsërisë namazet. Është treguar në një transmetim nga Profeti ﷺ se, kur ai e pa një burrë duke u falur shpejt, sikur të çukiste tokën, ai i tha atij: ‘Kthehu dhe falu sërish, se nuk je falur …’ Profeti ﷺ e këshilloi të përsëriste namazin të cilit akoma nuk i kish kaluar koha, por nuk i tha që t’i përsëriste namazet e mëhershme, sepse ai nuk kishte qenë në dijeni lidhur me mënyrën e saktë të të falurit, edhe pse, me gjasë, ai ishte falur ashtu në të kaluarën; por, pasi që nuk ishte në dijeni, Profeti ﷺ e arsyetoi atë për të kaluarën dhe e këshilloi që ta përsëriste namazin të cilit akoma s’i kish kaluar koha. Kjo do të thotë se, nëse dikush nuk është në dijeni për ndonjërën pjesë të namazit dhe më pas njoftohet lidhur me të para se koha e atij namazi të përfundojë, atëherë ai duhet të përsërisë namazin që ende s’i ka kaluar koha. Sa u përket namazeve të mëhershëm, ata janë të pranueshme, për shkak të mosdijes së personit në fjalë. Kjo është çfarë tregohet nga ky hadith, sepse i Dërguari ﷺ nuk e këshilloi këtë njeri i cili u fal keq t’i përsëriste të gjitha namazet që kishte falur më herët, për shkak të mosdijes së tij dhe vështirësisë që do të shkaktonte kjo. E njëjta vlen edhe për gruan e cila ka falur shumë namaze para se të mësojë se është e obligueshme t’i mbulojë këmbët; ajo nuk duhet t’i përsërisë ato, in sha Allah, sipas mendimit më të saktë, sepse ajo e ka bërë këtë nga mosdija. Por, në të ardhmen ajo duhet t’i mbulojë këmbët dhe tërë trupin, përveç fytyrës dhe duarve, sepse ato, sipas dijetarëve, nuk i përkasin pjesëve të turpshme përderisa ajo kryen faljen. Nëse ajo i mbulon duart, në mënyrë që të evitojë çështjet lidhur me këndvështrimet e ndryshme të disa dijetarëve, kjo është në rregull.” [5]

Përmbledhtas: mbulimi i këmbëve në namaz për gruan është një çështje për të cilën dijetarët nuk kanë mendim të njëjtë. Por, për të qenë në anën e sigurt, gruaja nuk duhet t’i lërë këmbët të pambuluara përderisa falet, me qëllim të evitimit të kësaj çështjeje për të cilën dijetarët nuk janë pajtuar. Sa u përket namazeve të mëhershme, ajo nuk duhet t’i përsërisë ato, sepse nuk ka qenë në dijeni për këtë rregull. Allahu e di më së miri.

islamqa.info

————————–

[1] Ebu Davudi (640)

[2] Me‘aalim es-Sunen [1/159]

[3] Sherh el-Mumti‘ (2/161)

[4] Awn el-Ma‘bûûd Sherh Sunen ebi Dewûd [2/242]

[5] Shejh Ibn Baz, “Fetaawa Nûr ‘ala ed-Derb”