Pyetja:

Nëse të sëmurit nuk i përkeqësohet gjendja nga agjërimi, a i lejohet atëherë të agjërojë?

***

Përgjigjja:

Nëse i sëmuri agjëron ai gjendet brenda tri situatave:

E para: Agjërimi ta dëmtojë atë. Në këtë rast i ndalohet atij të agjërojë edhe pse agjërimi i tij konsiderohet i saktë. Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “dhe mos e shkatërroni vetveten me duart tuaja.” [1] (Bekare: 195)

E dyta: Agjërimi t’i sjellë vështirësi. Në këtë rast urrehet që ai të agjërojë për shkak të mosmarrjes së lehtësimit të Allahut të Lartësuar.

E treta: Agjërimi nuk e dëmton dhe as nuk i sjellë vështirësi. Në këtë rast e ka detyrë të agjërojë për shkak të mosekzistencës së arsyetimit (për të mos agjëruar).

Shejh Khalid el-Mushejkih, “Dispozitat e agjërimit”

Përktheu: Unejs Sheme

———————————

[1] Shkatërrimi i vetvetes kthehet në dy gjëra: 1. Në lënien e atyre për të cilat je urdhëruar që t’i veprosh, kur lënia e tyre çon në shkatërrimin e trupit ose të shpirtit, dhe 2. Në kryerjen e gjërave që të çojnë në shkatërrimin e trupit ose të shpirtit. Pra këtu përfshihen shumë gjëra, prej të cilave është lënia e xhihadit në rrugë të Allahut, ose mosshpenzimi për të, gjë e cila çon në rënien nën pushtimin e armikut. Këtu hyn edhe mashtrimi i njeriut me vetveten duke e futur atë në rrezik, apo duke vazhduar në bërjen e gjynaheve dhe heqjen e shpresës nga pendimi, etj.
Shejh Abdurrahman es-Sadij