Pyetja:
Daja im e ka shitur shtëpinë por ka ndërruar jetë, pastaj kanë mbetur 3 motra, (nëna dhe dy tezet) por, pasi nëna ime ka vdekur para dy jave, tash kanë mbetur 2 motrat, gjegjësisht dy tezet, por paratë e shtëpisë të dajes i kanë marr dy tezet. Sipas dispozitave islame a me takon mua hisja e nënës sime?
***
Përgjigjja:
Me Emrin e Allahut, Mëshirplotit, Mëshiruesit!
Së pari duhet të shikohet se a ka lënë ky dajë ndonjë vëlla ose ndonjë djalë? Ose, a ka lënë ndonjë djalë vëllai? Pastaj, nëse nuk lënë meshkuj, s’ka lënë vëllezër apo djem të tij, e as ka lënë djem të vëllait, e pastaj nuk ka lënë bija, nuk ka lënë grua, me një fjalë, nëse ky nuk e ka lënë askënd hiç prej këtyre, përpos këtyre tri motrave, atëherë po, pasuria u ndahet motrave. Por, nëse ka pasur edhe trashëgimtarë të tjerë, e që në këtë rast ka mundur të jetë edhe gruaja e dajës, fëmija e tij, djem apo vajza, djem të djemve, vëllezër, djem të vëllezërve, atëherë edhe këta futen në trashëgimi. E, nëse dikush prej tyre ka qenë gjallë kur daja ka kaluar në botën tjetër, atëherë ata janë hisenik në trashëgimi, e që nuk i përjashton motrat që ta marrin hisen e vetë, por dikush tjetër që trashëgon me ta pastaj ua ngushton hisen motrave.
Sido që të jetë, po llogarsim se daja ka vdekur dhe ka lënë pas vetes vetëm këto tri motra, atëherë këto tri motrat duhet t’i marrin së bashku dy të tretat (2/3) e pasurisë së tij. Po çfarë të bëjmë me një të tretën e mbetur? Shumica e dijetarëve kanë thënë se edhe kjo pjesë në fund u kthehet këtyre motrave përderisa nuk janë gjetur trashëgimtarë të tjerë. Mirëpo, nëse pas vdekjes së dajës, ndonjëra prej këtyre tri motrave ka vdekur, pasi që i ka takuar hisja e saj në atë pasuri, edhe nëse nuk e ka pranuar ende atë pasuri për shkak të vonesës së ndarjes së hiseve, me fjalë të tjera, pasi ka vdekur daja, kanë kaluar një muaj dhe ende nuk është ndarë pasuria, ndërsa në këtë periudhë ka vdekur njëra prej trashëgimtareve, në këtë rast motrave, atëherë asaj i ka kaluar hisja e saj dhe është e qëndrueshme, edhe pse ende s’e ka pranuar; pra, në këtë rast, fillimisht i ndahet pasuria edhe kësaj që ka vdekur sikur të ishte gjallë, e pastaj ndahet pasuria e saj edhe një herë tek ata që ajo i ka lënë trashëgimtarë. Rrjedhimisht, juve që keni bërë pyetjen, ju takon të llogarisni pasurinë që i ka takuar nënës suaj, pasi që ajo ka qenë gjallë në kohën kur ka vdekur daja, dhe kjo pasuri pastaj duhet të ndahet ndër trashëgimtarët e nënës suaj. Nëse nëna juaj ka lënë djem dhe vajza, atëherë ndahet pasuria mes jush dhe nuk u mbetet më ndonjë hise tezeve, por nëse ju jeni vetëm vajza, gjegjësisht nëna juaj nuk ka lënë djem, atëherë një pjesë e hises kthehet edhe tek ato dy tezet që kanë mbetur.
Allahu e di më së miri!
Hoxhë dr. Rasim Haxha
Comments are closed.