Pyetja:

Jam një motër muslimane. Gjatë muajit të ramazanit nuk kam agjëruar një ditë pasi kishim një rast familjar dhe mu desh që të mos agjëroja. Jam penduar shumë për këtë ditë pasi unë agjëroj që nga mosha gjashtë vjeçare çdo muaj komplet e doja të dija çfarë duhet të bëj që ta kompensoj këtë ditë. A mjafton të agjëroj thjesht një ditë apo duhet të bëj diçka tjetër?
A ka kompensim me agjërim dy muaj pasi kështu kam dëgjuar por unë jam në shkollë dhe e kam vështirë të agjëroj dy muaj rresht por nëse Allahu do kështu atëherë kështu qoftë.

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, duhet të punoni me veten më shumë që ta kuptoni më mirë rëndësinë e agjërimit të muajit të ramazanit, që mos të ndikoheni nga çfarëdo rasti familjar qoftë, shoqëror, shtetëror etj. Agjërimi i ramazanit jo vetëm që është obligim për myslimanët e shëndoshë, por është edhe njëra shtyllë e Islamit që mbështetet e gjithë feja në to. Duhet ta keni në konsideratë këtë gjë për hera të tjera dhe mos të mashtroheni nga djalli i mallkuar.

Mospërsëritja e këtij mëkati zaten është njëra ndër tri kushtet e pendimit që ju duhet t’i plotësoni, në mënyrë që Allahu t’ua falë këtë mëkat. Kushtet e tjera janë që të pendoheni dhe të ndiheni keq për atë që keni bërë, e siç shihet nga pyetja e juaj këtë veç e keni arritur, si dhe kushti tjetër është që të kërkoni faljen e Allahut duke thënë Estegfirullah etj.!

Në këtë rast ju përveç këtyre kushteve të përgjithshme të pendimit obligoheni edhe ta kompensoni ditën e mos-agjëruar të ramazanit. Nuk ka dilemë në mesin e dijetarëve se dita e prishur me marrëdhënie seksuale gjatë ditës së ramazanit duhet të kompensohet me një ditë agjërimi si dhe agjërimin e 60 ditëve pandërprerë, pra 60+1. Sa i përket ditës së prishur të agjërimit të ramazanit me ushqim, është e vërtetë se disa dijetarë mendojnë që edhe në atë rast duhet të kompensohet me 60+1, pra 60 ditë dënimi dhe një kompensimi. Por mendimi më i saktë do të ishte që ju duhet ta kompensoni atë ditë me vetëm një ditë, nëse prishja e agjërimit ka qenë vetëm me ushqim, kurse për mëkatin e mos-agjërimit duhet të pendoheni, siç përmendëm më lart.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku