Pyetja:

A bën të përdoret alkooli medicinal?

***

Përgjigjja:

Alkooli është një ndër substancat më të vjetra që shkenca ka arritur të prodhojë në formë artificiale. Në kohën tonë bashkëkohore konsiderohet ndër substancat më të rëndësishme në prodhimin e shumë substancave kimike, pastaj të ruajtjes së tyre, si dhe të produkteve farmaceutike e mjekësore. Disa nga përdorimet e tij janë:

1. Alkooli përdoret me përqindje të ndryshme nëpër barna të ndryshme, si tretës i disa substancave kimike apo i yndyrave të ndryshme, ashtu siç ekzistojnë disa substanca medicinale të cilat nuk treten vetëm se me alkool.

2. Alkooli përdoret si lëndë për ruajtjen e medikamenteve mjekësore nga mikrobet e ndryshme.

3. Përdoret si pjesë e disa medikamenteve që janë enkas për fëmijë, si qetësues ndaj dhembjeve, i ndihmon për të fjetur, kundër kapsit, ose barkqitjes etj..

4. Alkooli përdoret si dezinfektues i lëkurës, për pastrimin e varrave apo plagëve etj..

Përdorimi i këtij lloji alkooli në rastet e lartpërmendura lejohet nëse është e domosdoshme, por me disa kushte:

– të mos ketë ilaç apo zëvendësim tjetër të lejuar-hallall;

– të mos arrijë përqindja e alkoolit në shkallën e dehjes;

– ta përshkruajë ndonjë mjek musliman atë ilaç duke theksuar sasinë e domosdoshme për përdorim;

– që kjo domosdoshmëri të përcaktohet me një sasi të caktuar, sa e kërkon nevoja, e jo më tepër.

Në lidhje me këtë temë ka marrë vendim edhe Asambleja e Jurisprudencës Islame në mbledhjen e mbajtur në takimin e saj të gjashtëmbëdhjetë, vendimi i gjashtë, në Mekë më 5-10 janar 2002. Në vendim në mes të tjerash thuhet:

“Pas shikimit të kërkimeve të paraqitura rreth barnave që përmbajnë alkool dhe drogë, e pas diskutimeve që janë zhvilluar rreth saj dhe duke u bazuar në faktin se sheriati bazohet në eliminimin dhe largimin e vështirësisë dhe dëmit, dhe se domosdoshmëria e lejon të ndaluarën dhe bërjen e dëmit më të vogël me qëllim të eliminimit të dëmit më të madh, është marrë vendim si në vijim:

1. Përdorimi i verës (pijeve dehëse) nuk lejohet në asnjë situatë, duke u bazuar në thënien e të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Me të vërtetë Allahu nuk e ka bërë shërimin në atë çka ua ka ndaluar juve.“[1]

Po ashtu thënia e tij ﷺ: “Me të vërtetë Allahu e zbret sëmundjen dhe çdo sëmundjeje i ka caktuar ilaçin, prandaj përdorni ilaçet, mirëpo mos merrni ilaçet që janë haram.”[2]

Ndërsa Tarik bin Suvejdi kur e ka pyetur për përdorimin e verës për shërim, Ai ﷺ i ka thënë: “Me të vërtetë kjo (vera) nuk është shërim, por është sëmundje.“[3]

2. Lejohet përdorimi i barnave që përmbajnë alkool me përqindje tretëse që përdoren në industrinë e farmacisë në raste kur nuk ka zëvendësues për to, me kusht që këtë ta përshkruajë një mjek i besueshëm. Po ashtu lejohet përdorimi i alkoolit për pastrim të jashtëm të plagëve me qëllim të shkatërrimit të mikrobeve si dhe për kremrat dhe parfumet për përdorim të jashtëm.

3. Asambleja e Jurisprodencës Islame porosit kompanitë prodhuese të barnave dhe farmacisë në shtetet islame dhe importuesit e barnave që të përpiqen maksimalisht për largimin e alkoolit nga barnat si dhe përdorimin e alternativave të tjera.

4. Gjithashtu Asambleja e Jurisprudencës Islame i porosit mjekët që sa të kenë mundësi të mos i përshkruajnë barnat që përmbajnë substanca alkooli.

Vendimi nr. 94 (616) në lidhje me barnat që përmbajnë alkool dhe drogë[4].”

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 5354.

[2] Ebu Davudi, nr. 3874. Albani e ka bërë sahih, Sahihu el-xhamiu, nr. 1762.

[3] Muslimi, nr. (1984) 12.

[4] Marrë nga:

http://www.themwl.org/Fatwa/default.aspx?d=1&cidi=150&l=AR&cid=12