Pyetja:

A lejohen eshtrat dhe lëkurat e kafshëve për të prodhuar xhelatinë?

***

Përgjigja:

I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut Nji, përshëndetjet, paqa dhe shpëtimi qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka të dërguar tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tone Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.

Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame, në seancën e tij të pesëmbëdhjetë, të mbajtur në Meke El-Mukerreme e cila filloi ditën e Shtunë 11 Rexheb 1419h që përputhet me datën 31-10-1998 të kalendarit Gregorian, e shqyrtoi çështjen e Xhelatinës. Pas debatit dhe analizës së çështjes në fjalë, Këshilli arriti në përfundimin se:Xhelatina është një substancë e cila përdoret për prodhimin e ëmbëlsirave dhe disa medikamenteve. Xhelatina bëhet prej lëkurave dhe eshtrave të kafshëve.

Bazuar në këtë, Këshilli ka vendosur si vijon:

Së pari:

Lejohet përdorimi i Xhelatinës së prodhuar prej gjërave të lejuara dhe kafshëve të lejuara për t’u ngrënë, të cilat janë therur sipas rregullave të fesë islame. Nuk lejohet Xhelatina e bërë nga gjërat e ndaluara, si: lëkura dhe eshtrat e derrit, si dhe nga kafshët dhe substancat tjera të ndaluara.

Së dyti:

Këshilli u rekomandon shteteve islame dhe kompanive që veprojnë në këto shtete, si dhe tjerëve, që të mos i importojnë gjërat e ndaluara fetarisht, dhe t’u ofrojnë muslimanëve gjërat e lejuara-hallall.

Bekimi i Allahut dhe paqja e përshëndetjet e shumta qofshin mbi zotëriun tonë Muhammedin, familjen dhe shokët e Tij.

Falënderimi i plotë i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

KËSHILLI i AKADEMISË SË FIKHUT

Përktheu: Bashkim Aliu