Pyetja:

Përse martesa nis të zbehet pas disa viteve?

***

Përgjigjja:

Në realitet ka shumë shkaqe por disa prej tyre janë:
Problemet e dynjasë që e kaplojnë burrin gjithashtu edhe gruan,  preokupimi i gruas me fëmijët dhe lënia pas dore e bashkëshortit, angazhimi i bashkëshortit me punët e kësaj bote dhe harresa e bisedave me gruan e tij, të nervozuarit e burrit me shokë dhe të bërtiturit gruas së tij, mosnjohja e të drejtës së gruas dhe konsiderimi i saj si shërbëtore, moskërkimi i zgjidhjes së problemeve sipas Kuranit dhe fjalëve të Muhamedit ﷺ, etj.
Por, unë po i shkruaj disa pika që nëse praktikohen me sinqeritet, inshaAllah, do të kthehet një dashuri e hershme në mes të dy bashkëshortëve: T’i thoni sa më shpesh njëri-tjetrit se e doni shumë. Kujdes mos u hidhëroni në të njëjtën kohë! Nëse e keni patjetër të kritikoni bëjeni atë me dashuri! Mos i përmendni gabimet e vjetra! Mos shkoni për të fjetur pa zgjidhur problemin! Më mirë të lini krejt dynjallëkun sesa njëri-tjetrin! Falni namaz së bashku së paku një herë në ditë. Kur të gaboni pranojeni gabimin. Dëgjojeni partnerin tuaj kur ai flet!
Mos harroni se shoku juaj bashkëshortor është më i mirë se televizioni, lojërat, etj. Kujdesu për rrobat e partnerit tuaj! Mos harroni ta falënderoni shpesh bashkëshortin për dhuratat apo buzëqeshjet kur ua dhuron. Lute Allahun që t’iu jep lumturi në këtë jetë dhe në botën tjetër.
Për më shumë ju këshilloj ta lexoni librin: “Fshehtësia e një martese të lumtur“.

Muhamed Dërmaku