Përshëndetja me dorë e femrës së huaj

147. I nderuar hoxhë! A i lejohet mashkullit që të përshëndetet me dorë me femër të huaj?

Përgjigjja: Nuk i lejohet mashkullit të përshëndetet duke shtrënguar duart me një femër të huaj, me të cilën i lejohet martesa, po ashtu nuk i lejohet as femrës që të përshëndetet me dorë me mashkull të huaj. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Të shpohet në kokën e njërit prej jush me gjilpërë të hekurt është më mirë për të sesa të prekë një grua që nuk i lejohet.”[1]

Prekja e femrës së huaj me dorë nga mashkulli është prej shkaqeve që nxisin joshjen dhe ngacmojnë epshin. Nuk duhet të mashtrohet askush me pretendimin e qëllimit të mirë dhe zemrës së pastër, ngase njeriu me qëllim dhe zemër më të pastër në këtë botë, Muhamedi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], nuk ka prekur kurrë dorën e femrës së huaj. Aishja r.a. ka thënë: “Nuk ka prekur dora e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] dorë gruaje, ngase besatimin prej tyre e merrte me fjalë.”[2]

Allahu i Lartësuar e ka ndaluar të shikuarit e femrës në burrë si dhe shikimin e burrit në grua. I ka urdhëruar të gjithë, si burrin ashtu edhe gruan, për uljen e shikimit. Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet e tyre (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.” (Nur: 30)

Gjithashtu thotë:

“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre…” (Nur: 31)

Nëse pra vetëm shikimi në cilëndo pjesë të trupit është i ndaluar, çfarë mendon për prekjen me dorë, kur dihet se ajo është joshje më e madhe?!

Allahu e di më së miri.

————————————————————

[1] Taberaniu, nr. 486. Albani e ka bërë sahih, shih: Sahih el-Xhami, nr. 5045.

[2] Muslimi, nr. (1866) 88.