Menstruacionet

Në arabisht, fjala hajz, do të thotë “rrjedhje”. Këtu, kjo fjalë i referohet rrjedhjes së gjakut gjatë menstruacioneve (gjendje shëndetësore e gruas) dhe jo nga lindja e një fëmije apo nga humbja e virgjërisë.

Shumica e dijetarëve thonë se një periudhë e tillë nuk fillon për një femër, para moshës nëntëvjeçare[1].[2] Nëse menstruacionet shfaqen përpara kësaj moshe, atëherë një rrjedhje e tillë nuk i përket gjakut menstrual, por konsiderohet gjak putrid. Në fakt, nuk ka argumente në lidhje me kohën se kur i mbarojnë menstruacionet një gruaje. Kështu, nëse një grua e moshuar sheh se po i rrjedh gjak, atëherë ai konsiderohet si gjak menstrual.

Rastet në të cilat gjaku konsiderohet si gjak menstrual

  1. Gjaku me ngjyrë të errët. Njëherë kur Fatima bint Ebu Hubejsh pati një rrjedhje gjaku për një periudhë të gjatë, Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) i tha: “Nëse ai është gjak menstruacionesh, është i errët dhe i dallueshëm. Nëse është ashtu, atëherë mos u fal. Nëse nuk është i tillë, atëherë merr abdes dhe falu, pasi rrjedhja e tij është vetëm për shkak të ndonjë damari”.[3]

Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Hibani dhe Darakutni, i cili thotë se të gjithë treguesit e këtij hadithi janë njerëz të besueshëm. Gjithashtu, edhe Hakimi e ka transmetuar një hadith të tillë.

  1. Gjaku me ngjyrë të kuqe. Kjo është ngjyra origjinale e gjakut.
  2. Gjaku me ngjyrë të verdhë. Është një lëng, i ngjashëm me qelbin.
  3. Gjaku me ngjyrë të turbullt. Është një ngjyrë e ndërmjetme, midis të zezës dhe të bardhës, ashtu si uji i ndotur

Maliku dhe Muhamed ibën El Hasan (si dhe Buhariu në formën mualak) transmetojnë se gratë i çonin Aishes (radijAllahu anhuma.) kuti të vogla me pambuk me njolla të verdha dhe ajo u thoshte atyre: “Mos u nxitoni derisa të shihni pambukun e pastër”.[4] E transmeton Maliku, Muhamed ibën el Hasen dhe Buhariu mualak.

Nëse sasia e gjakut të rrjedhur është me ngjyrë të verdhë apo të turbullt gjatë ditëve të menstruacioneve, atëherë ajo duhet konsideruar si pjesë e kësaj periudhe. Gjatë ditëve të tjera, nuk konsiderohet si e tillë. Umu Atije tregon: “Pasi pastroheshim, nuk e konsideronim gjakun e rrjedhur në ngjyrë të verdhë apo të turbullt si gjak menstruacionesh”.[5] Transmeton Ebu Daudi dhe Buhariu, por ky i dyti pa fjalët: “Pasi pastroheshim”

Kohëzgjatja[6]

Nuk ekziston një kohë e përcaktuar, minimale apo maksimale, në lidhje me kohëzgjatjen e menstruacioneve dhe nuk ka asnjë argument për këtë

Nëse një grua ka kohëzgjatje të zakonshme të periudhës së menstruacioneve, atëherë ajo duhet të veprojë në përputhje me të. Umu Seleme e pyeti njëherë të Dërguarin e Allahut në lidhje me një grua që kishte rrjedhje të gjakut për një kohë të gjatë. Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) i tha: “Ajo duhet të presë numrin e ditëve dhe të netëve që i ka zakonisht menstruacionet e saj si dhe kohën e tyre. Gjatë këtyre ditëve, ajo duhet ta lërë namazin, pastaj të marrë gusël, të vendosë diçka në organin gjenital të saj dhe të falet”.[7] Transmeton grupi i “të pestëve”, përveç Tirmidhiut.

Nëse gruaja nuk ka ndonjë kohë standarte, gjatë së cilës i vijnë menstruacionet, atëherë ajo duhet të përpiqet të dallojë llojet e ndryshme të gjakut. Kjo praktikë bazohet në hadithin që thamë më lart të Fatime bint Ebu Hubejshit, në të cilin thuhet se gjaku menstrual është i dallueshëm dhe i njohur mirë nga gratë. Për këtë dëshmon dhe hadithi: “Nëse është gjak i hajzit ai është i zi dhe i njohur”. [Hadith Hasen, u përmend më parë]

Hadithi dëshmon se gjaku i një periudhe të tillë dallon nga të tjerët dhe është i njohur për gratë.

Të gjithë dijetarët janë të mendimit se nuk ekziston një limit maksimal për kohën midis dy periudhave menstruale, ndërsa nuk bien në ujdi për atë minimale: disa thonë se është 15 ditë e të tjerë 13. E vërteta është se në lidhje me këtë nuk ka argument.

Rrjedhja e gjakut pas lindjes së fëmijës

Një rrjedhje e tillë ndodh pas lindjes së fëmijës, pavarësisht nëse fëmija mbijeton pas lindjes ose jo. Kjo lloj rrjedhjeje nuk ka ndonjë kohëzgjatje të caktuar, pasi ajo mund të ndalojë direkt pas lindjes ose mund të zgjasë. Si rrjedhojë, lehonia mund të përfundojë dhe kështu ajo është e detyruar të agjërojë, të falet e kështu me radhë. Kohëzgjatja maksimale e kësaj rrjedhjeje është dyzet ditë.

Umu Seleme ka thënë: “Gjatë kohës së Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) periudha e lehonisë për një grua ishte 40 ditë”.[8] Transmeton grupi i “të pestëve”, përveç Nesaiut.

Pas përmendjes së hadithit, Tirmidhiu thotë: “Sahabët, gjenerata pas tyre dhe të tjerët që erdhën më vonë, ishin të mendimit se gruaja që është lehonë duhet ta lërë namazin e saj për dyzet ditë, përveç në rastet kur rrjedhja e gjakut të saj ndalon. Nëse rrjedhja e gjakut ndalon përpara një limiti të tillë kohor, atëherë ajo duhet të marrë gusël dhe të falet. Ndërsa, nëse ajo sheh se i rrjedh gjak pasi kanë kaluar dyzet ditë, shumica e dijetarëve janë të mendimit se ajo nuk duhet ta lërë përsëri namazin.

Veprimet që ndalohen për gratë me menstruacione dhe lehona

Të gjitha veprimet që ndalohen për një njeri që nuk është larë pasi është bërë xhunub, janë të ndaluara gjithashtu edhe për gratë që ndodhen në këto dy gjendje shëndetësore, pasi ato konsiderohen si papastërti të mëdha. Por, ekzistojnë gjithashtu edhe dy ndalesa të tjera:

* Ato nuk mund të agjërojnë

Nëse ato e bëjnë një gjë të tillë, atëherë agjërimi i tyre nuk është i vlefshëm. Nuk duhet të agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit, por duhet t’i zëvendësojnë ato ditë më vonë, ndërsa faljet e namazeve nuk përsëriten për shkak të vështirësive dhe përsëritjes së shpeshtë të tyre.

Ebu Seidi tregon: “Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) doli në vendin e faljes së namazit të Bajramit, në Bajramin e Kurbanit apo të Fitrit. Ai kaloi pranë grave dhe tha: “O gra, jepni sadaka, se unë kam parë që shumica e atyre që hyjnë në zjarr ishin gra”. Ato i thanë: “E përse o i Dërguar i Allahut?” Ai u tha: “Ngase ju mallkoni shpesh dhe përbuzni mirësitë e burrit. Nuk kam parë më të mangëta në mendje e në fe (e në anën tjetër) ndonjëra prej jush t’i marrë mendjen një burri të mençur e të patundur”. Ato i thanë: “Cila është mangësia e mendjes dhe e fesë sonë o i Dërguari i Allahut?” Ai u tha: “A nuk vlen dëshmia e gruas sa gjysma e dëshmisë së burrit?” “Patjetër, – i thanë ato”. “Kjo është mangësia e mendjes së tyre, – tha Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) dhe vazhdoi: E kur është me menstruacione, a nuk falet dhe nuk agjëron?” “Patjetër, – pohuan ato”. “Kjo pra është mangësia e fesë së saj, – u tha Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.).[9] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Muadhja tregon se ka pyetur Aishen (radijAllahu anhuma.): “Pse duhet të kompensojmë ditët që kemi lënë pa agjëruar për shkak të menstruacioneve dhe jo namazet?” Ajo i është përgjigjur: “Kjo na ndodhte kur ishim me Pejgamberin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) e urdhëroheshim ta kompensojmë agjërimin e nuk urdhëroheshim të kompensojnë namazin”.[10] Transmeton “Grupi”.

* Ato nuk mund të kryejnë marrëdhënie seksuale

Një gjë e tillë është e ndaluar me Kuran, Sunet dhe Ixhma (mendim unanim të dijetarëve), prandaj gratë me menstruacione nuk mund të kryejnë marrëdhënie seksuale derisa të pastrohen.

Enesi (radijAll-llahu anhu.) ka thënë: “Kur një grua çifute ishte në periudhën e menstruacioneve, burri i saj nuk hante dhe nuk qëndronte me të. Sahabët e pyetën Profetin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) në lidhje me këtë gjë dhe ndërkohë, Allahu zbriti ajetin:

وَيَسْأَلُونَكَ عَنْ الْمَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى فَاعْتَزِلُوا النِّسَاءَ فِي الْمَحِيضِ وَلاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّى يَطْهُرْنَ

فَإِذَا تَطَهَّرْنَ فَأْتُوهُنَّ مِنْ حَيْثُ أَمَرَكُمْ اللَّهُ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَيُحِبُّ الْمُتَطَهِّرِينَ

“Të pyesin ty për menstruacionet. Thuaj: Ajo është një gjendje e keqe shëndetësore, kështu që largojuni atyre (mos kryeni marrëdhënie intime) derisa të pastrohen. Dhe kur ato të jenë pastruar, atëherë afrojuni atyre, ashtu siç e ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej papastërtive”.[11]

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Bëni gjithçka me to (gratë), përveç marrëdhënieve seksuale”.[12] Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut.

Në komentet e tij në lidhje me këtë çështje, Neveviu thotë: “Nëse një musliman beson se është e lejuar të kryejë marrëdhënie seksuale me gruan e tij që është me menstruacione, atëherë ai është jobesimtar, i dalë nga feja. Nëse ai e bën një gjë të tillë, duke mos menduar se është diçka e lejuar, por nga harresa apo nga mosdija e faktit se gruaja e tij është me menstruacione, atëherë kjo gjë nuk përbën ndonjë mëkat për të dhe nuk është i detyruar të bëjë ndonjë shpagim. Nëse ai e bën këtë gjë me qëllim (kryen marrëdhënie), duke e ditur se është një akt i ndaluar, ai ka bërë mëkat të rëndë dhe duhet të pendohet. Në lidhje me shpagimin në këtë çështje, ekzistojnë dy mendime dhe mendimi më i saktë është se nuk duhet bërë një shpagim për një mëkat të tillë”. Më tej, ai vazhdon duke thënë se të gjithë dijetarët janë të mendimit se burri mund ta prekë pjesën e trupit të gruas që është mbi kërthizën dhe poshtë gjunjve. Shumica e dijetarëve thonë se nuk është e lejuar ta prekësh atë që është midis kërthizës dhe gjunjve, veç organit të saj gjenital të saj apo anusit, të cilat patjetër që janë të ndaluara të preken në këtë gjendje. Neveviu nxjerr përfundimin se ky veprim është i lejuar por jo i pëlqyer, ngase argumenti për këtë është më i fortë. Një gjykim i tillë bazohet në praktikën e grave të Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.), kur ai donte të qëndronte me to gjatë kohës së periodave, ato e mbështillnin me diçka organin e tyre.[13] Transmeton Ebu Daudi.

El Hafidh (Ibn Haxheri) thotë: “Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i fortë”.

Mesruk ibën El Exhde e pyeti njëherë Aishen (radijAllahu anhuma.): “Cilat janë të drejtat e burrit për gruan e tij kur ajo është me menstruacione?”Ajo iu përgjigj: “Çdo gjë tjetër, përveç organit të saj gjenital”. Transmeton Buhariu në “Historinë” e tij.

Gratë që kanë rrjedhje gjaku për një kohë të gjatë

Islami e përcakton këtë dukuri si rrjedhje gjaku jashtë kohës së rregullt. Kjo ndodh zakonisht në tre raste specifike.

Në rastin e parë gruaja e di kohën e zakonshme të ciklit menstrual para çrregullimit. Në këtë rast, ajo duhet të veprojë në përputhje me periudhën e saj të zakonshme dhe pjesa tjetër konsiderohen si ditë shtesë në kohëzgjatjen e gjakut. Kjo bazohet në hadithin e Umu Selemes, në të cilin ajo pyeti të Dërguarin e Allahut në lidhje me këtë gjendje. Ai i tha: “Gruaja duhet të presë për ditët dhe netët e periudhës së saj normale dhe duhet ta lërë namazin gjatë këtyre ditëve (kur është me menstruacione). Pastaj, ajo duhet të marrë gusël, të shtrëngojë diçka rreth organit të saj gjenital dhe të falet”.[14] Transmeton Maliku, Shafiu dhe grupi i “të pestëve”, përveç Tirmidhiut.

El Hatabi thotë: “Ky rregull është për gruan e cila ka rrjedhje gjaku për një kohë më të gjatë sesa ajo e zakonshmja. Nëse ka rrjedhje gjaku, Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) urdhëron që gruaja ta lërë namazin aq sa koha e rregullt e saj dhe pastaj të marrë gusël pas mbarimit të periudhës së zakonshme. Atëherë, ajo bëhet e pastër ashtu sikurse çdo njeri tjetër i pastër”.

Në rastin e dytë, kur vazhdon rrjedhja e gjakut, ndërsa ajo di ditët e zakonshme të ciklit, ngase i ka harruar ato apo ka pasur një gjendje të tillë që nga fillimi andaj nuk mund dallojnë gjakun.

Në këtë rast, kohëzgjatja e menstruacioneve të saj konsiderohet të jetë gjashtë apo shtatë ditë, kohë e cila është më e zakonshmja tek gratë.

Hamene bint Xhahsh tregon: “Kisha rrjedhje të shumtë dhe të zgjatur të gjakut, prandaj shkova te Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) që ta pyesja për këtë dhe t’i tregoja. E gjeta në shtëpinë e motrës sime, Zejnebe bint Xhahsh (ajo ishte grua e Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.), e i thashë: “O i Dërguar i Allahut, unë kam rrjedhje të tepërt të gjakut menstrual, prandaj si duhet të veproj, pasi kjo rrjedhje më ka ndaluar nga namazi dhe agjërimi?” Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) i tha: “Të them për pambukun, ai do të ndalë gjakun”. Ajo tha: “Rrjedhja është më e madhe”. Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) i tha: “Mbështille shumë (që ta pengosh rrjedhjen e gjakut)”. Ajo tha: “Kam rrjedhje të pandërprerë”. Me këtë rast Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) i tha: “Do të urdhëroj me dy gjëra, çdonjërën prej tyre ta bësh do të të mjaftojë e nëse mundesh që t’i bësh të dyja, ti e di më mirë këtë”. Pastaj ai vazhdoi duke thënë: “Kjo (rrjedhje) është prej ndikimeve të shejtanit,[15] prandaj llogarite kohën e ciklit gjashtë apo shtatë ditë, pastaj pastrohu derisa të vëresh se je pastruar mirë. Pastaj falu përgjatë 23-24 ditë-netëve dhe agjëro e kjo të mjafton. Kështu vepro në çdo muaj duke pasur parasysh atë që bëjnë gratë dhe ashtu siç pastrohen.[16] Nëse ke mundësi ta vonosh namazin e drekës ta shpejtosh namazin e iqindisë e të lahesh e t’i falësh dy namazet së bashku. Pastaj e vonon namazin e akshamit dhe e shpejton atë të jacisë e kështu lahesh dhe i fal të dyja së bashku. Nëse ke mundësi, bëje këtë! Gjithashtu lahesh para namazit të sabahut dhe falesh. Kështu vepro e falu dhe agjëro, nëse ke mundësi për këtë (larjen për çdo namaz). Në fund tha: “Nga dy mënyrat, kjo është gjëja më e dashur për mua”. [17] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili e ka cilësuar këtë hadith si hasen sahih.

Tirmidhiu tregon se e ka pyetur Buhariun në lidhje me këtë hadith dhe ai e ka quajtur hasen. Ahmed ibën Hanbeli thotë se ky hadith është hasen sahih. Në një koment që bën në lidhje me këtë hadith, El Hatabi shprehet se ai i referohet rastit të gruas e cila është “fillestare” (në menstruacionet e saj) dhe nuk i di me saktësi ditët e rregullta të menstruacioneve. Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) i tha Hamene bint Xhahshit të vepronte në përputhje me gjendjen e zakonshme të grave dhe ta konsideronte veten sikur t’i kishte periodat një herë në muaj, sikurse shumica e grave. Thënia e tij: “Meqënëse gratë kanë periudha menstruacionesh dhe pastërtie” e tregon më mirë këtë fakt.

Në rastin e tretë, gruaja ka një periudhë të rregullt menstruacionesh por edhe është në gjendje të dallojë ndërmjet llojeve të ndryshme të gjakut. Kështu, ajo duhet të veprojë në përputhje me llojin e gjakut që shikon. Fatime bint Ebu Hubeishi pati një rrjedhje të tejzgjatur gjaku dhe Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) i tha asaj: “Nëse është prej gjakut të menstruacioneve, atëherë ai është i errët dhe i dallueshëm. Nëse ke rrjedhje të këtij gjaku, mos u fal. Nëse është lloj tjetër gjaku, merr abdes dhe falu, pasi rrjedhja vjen për shkak të ndonjë damari”.

Gratë të cilat hyjnë në njërën prej kategorive që përmendëm, duhet të veprojnë në përputhje me këto rregulla:

– Ato nuk duhet të marrin gusël për çdo namaz, përveçse në rastin kur rrjedhja e gjakut të tyre ka mbaruar;

– Ato duhet të marrin abdes për çdo namaz.

Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.) ka thënë: “Merr abdes për çdo namaz!”

Sipas Malikut, kjo gjë është vetëm një veprim i pëlqyeshëm dhe jo i detyruar për t’u bërë (përveçse kur abdesi i saj bëhet i pavlefshëm).

Pengimi i rrjedhjes së gjakut

Gruaja me rrjedhje të tejzgjatur të gjakut duhet të lajë organin gjenital të saj përpara se të marrë abdes dhe duhet të vendosë diçka që e thith gjakun. Është e pëlqyeshme që ajo të bëjë gjithçka që mundet, në mënyrë që të pengojë rrjedhjen e gjakut.

Abdesi

Gruaja që ka rrjedhje gjaku për një periudhë të gjatë kohore, nuk duhet të marrë abdes përpara se të hyjë koha e namazit.

Marrëdhëniet seksuale

Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, gruaja me rrjedhje të tejzgjatur të gjakut mund të kryejë marrëdhënie seksuale me burrin e saj, edhe nëse gjaku është duke rrjedhur. Në këtë rast nuk ka ndonjë argument që vërteton të kundërtën.

Ibën Abasi thotë: “Nëse ajo mund të falet, atëherë edhe burri i saj mund të kryejë marrëdhënie me të, pasi që namazi është më madhështor”.

Buhariu thotë se nëse ajo është e pastër aq sa për të falur namazin, sigurisht që është e pastër edhe për marrëdhëniet intime me bashkëshortin.

Ebu Daudi dhe Bejhakiu kanë transmetuar se Ikrime bint Humene pati një rrjedhje të tejzgjatur të gjakut dhe burri i saj kreu marrëdhënie me të.[18] Neveviu thotë se zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është hasen.

Veprimet që mund të kryejë gruaja me rrjedhje të tejzgjatur të gjakut

Kjo grua konsiderohet e pastër dhe mund të falet, të agjërojë, të rrijë në xhami, të lexojë dhe të prekë Kuranin e kështu me radhë. Për këtë ka konsensus nga dijetarët.[19]

_______________________________________

[1] – Megjithatë mosha e fillimit të menstruacioneve nuk është konstante. Ndoshta dijetarët në fjalë kanë patur për qëllim vendet arabe, të cilat për shkak të kushteve klimaterike e favorizojnë përshpejtimin e menstruacioneve. Normalisht që një gjë e tillë vonohet më shumë për femrat që banojnë në zona të ftohta. – Shënim i redaktorit.

[2] – Ka për qëllim vitin hënor, i cili ka rreth 354 ditë.

[3] – Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 204. E ka nxjerrë Ebu Daudi 286, Nesai 209, Tahaviu 3/406, Darakutni 76, El Hakim 1/174, Bejhakiu 1/325.

[4] – Hadith Sahih. “El Irva” 198. E ka nxjerrë Maliku 1/59 dhe Buhariu Mualekan 1/356-El Fet-h.

[5] – Buhariu 326, Ebu Daudi 307, Nesai 368 si shprehja e Buhariut, Ibën Maxheh 647 si shprehja e Buhariut.

[6] – Dijetarët kanë shprehur mendime të ndryshme në lidhje me kohëzgjatjen minimale dhe maksimale të menstruacioneve. Disa prej tyre kanë thënë një ditë natë për kohëzgjatjen minimale, disa thonë tre ditë, disa 15 ditë e shumica thonë 10 ditë.

[7] – Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 5076. E ka nxjerrë Ebu Daudi 277, Nesai 1/182, Ibën Maxheh 623, Bejhakiu 1/332, Ahmedi 6/320, Darakutni 1/207.

[8] – Hadith Hasen. “El Irva” 1/222. E ka nxjerrë Ebu Daudi 139, Darimi 1/229, Ibën Maxheh 648, Darakutni 42, El Hakim 1/175, Bejhakiu 1/341, Ahmedi 6/300,303,304,309-310.

[9] – Buhariu 304, Muslimi 238, Ebu Daudi 4679 të shkurtuar, Ibën Maxheh 4003.

[10] – Buhariu 321, Muslimi 761, Ebu Daudi 262,263, Tirmidhiu 130, Nesai 380, Ibën Maxheh 631.

[11] – Kuran: El Bekare 222.

[12] – Muslimi 692, Ebu Daudi 258,2165, Tirmidhiu 2977,2978, Nesai 287,367, Ibën Maxheh 644.

[13] – Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 4663. E ka nxjerrë Ebu Daudi 272, Bejhakiu 1/314.

[14] – Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[15] – Ky është propozimi i parë nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.).

[16] – Ky është propozimi i dytë.

[17] – Hadith Hasen. “El Irva” 188,205. E ka nxjerrë Ebu Daudi 287, Tirmidhiu 128, Ibën Maxheh 627, Tahaviu 3/299, Darakutni f.29, El Hakim 1/172, Bejhakiu 1/338, Ahmedi 6/381.

[18] – Hadith Hasen. U përmend më sipër i plotë.

[19] – Gjaku i menstruacioneve është gjak i pistë, ndërsa ai i rrjedhjes së tejzgjatur është gjak i natyrshëm. Prandaj në rastin e parë nuk lejohet që femra të kryejë ndonjë ritual fetar dhe në të dytin lejohet.

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Karaj el Albani