Pyetja:

Jam një motër dhe kam kryer umre-n. Doja t’ju pyesja pse bëhet umre-ja nga ana e majtë?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Arsyeja pse tavafin e bëjmë nga ana e majtë është pasimi i të Dërguarit, ﷺ. Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik ka thënë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”.(Al Imran, 31)

Kurse Muhamedi, ﷺ, në lidhje me mënyrën e formën e ritualeve, se si duhet bërë gjatë haxhit e umres, ka thënë: “Merrni nga unë ritualet e juaja (të haxhit e unres)” [1]

Nuk është e thënë që gjithmonë të ketë shpjegim për çdo adhurim që e kryejmë, arsyen se pse duhet të kryhet në atë formë të caktuar. Pyetje të tilla mund të ngrihen për shumë gjëra, sikurse pse duhet të agjërohet muaji nëntë i kalendarit hënor, që i bie muaji i Ramazanit, e jo muaji i dhjetë, Shevali. Ose pse namazi i sabahut, farzi është dy rekate dhe nuk është katër, etj.

Andaj besimtari pason mësimet Islame ashtu si i janë përcjell nga i Dërguari i Allahut, ﷺ.

Pasi sqaruam këtë parim të rëndësishëm, themi se disa njerëz kanë folur në lidhje me këtë dhe janë mundu që të shpjegojnë urtësinë e kësaj, por nuk do të thotë se kjo është gjithsesi e saktë, pasi janë mendime të disa dijetarëve.

Ata kanë thënë se arsyeja e tavafit që e bëjmë ne, duke qenë të kthyer nga ana e majtë, është se për anën e Qabesë kjo është e djathta, ashtu sikurse kur i dalim ne dikujt dhe e kemi në anën e majtë, ai neve na ka në anën e djathtë.

Pastaj kur e fillojmë tavafin nga guri i zi, atëherë menjëherë na del përballë dera e Qabesë. Po të fillonte tavafi nga ana e kundërt, atëherë nuk do të arrinim te dera vetëm se në fund të tavafit.

Këto ishin disa nga shpjegimet që përmenden në këtë çështje, por ashtu si sqaruam, besimtari në këto praktika i merr për bazë Kuranin dhe hadithin. Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

————————————————————————–

[1] Muslimi