Pyetje:
Selamu alejkum! Desha të të pyes në lidhje me namazin.
Sa herë që fal namazin, më kap një frikë e madhe, zemra më del vendit nga frika, dhe kur marr abdes, frika më shtohet edhe më shumë.
Nga se ndodh kjo? Pse më ndodh kështu? Nuk e kuptoj.
Përgjigja:
Ue alejkum selam ve rahmetullah.
Falënderimet janë për Allahun, Zotin e botëve, dhe përshëndetjet me salavate dhe selame të shumta për të Dërguarin e Tij, s.a.v.s., familjen e tij fisnike dhe shokët e tij besnikë.
Duke qenë se kjo ndjenjë është shumë e fortë, siç e përshkruan, dhe shqetësuese deri në atë masë, duket të jetë një cytje e shejtanit si pengesë për faljen e namazit. Shejtanit të mallkuar i pengon shumë falja e namazit dhe rënia në sexhde, pasi ai u urdhërua të bie në sexhde, por refuzoi dhe u rebelua, rrjedhimisht përfundoi i mallkuar.
Prandaj, ai përdor mënyra dhe mjete të ndryshme për të zbrapsur njeriun nga adhurimi. Disa i shtyn në përtaci, të tjerë në neglizhim, disa i angazhon me punë, e disa i frikëson, e kështu me radhë. Qëllimi i tij është ta largojë njeriun nga bindja dhe lidhja me Krijuesin e vet.
Prandaj, ajo që të sugjerojmë është të vazhdosh të falesh me rregull dhe t’ia kujtosh vetes se ajo është një ndjenjë fiktive, jo reale, prej së cilës nuk ka kurrfarë rreziku. Gjithashtu, të sugjeroj që të kërkosh mbrojtje dhe strehim tek Allahu nga shejtani i mallkuar sa herë që paraqitet ajo ndjenjë. Me këtë bindje dhe me istiadhë (Eudhu billahi mine shejtani rrexhim), kjo ndjenjë vetëm sa do të zbehet dhe, me kohën, do të zhduket tërësisht me lejen e Allahut s.v.t.
Burimi: pergjigje.net