Pyetja:

Pse nuk na ka treguar Pejgamberi kohën kur do të ndodhë Kiameti?

***

Përgjigja:

Së pari: I Dërguari i Allahut [ﷺ] nuk na ka treguar se kur do të ndodhë kiameti, sepse ai nuk e dinte as vetë se kur do të ndodhë ai. (Për këtë ka shumë ajete nga Kurani dhe hadithe autentike.)

Së dyti: Nëse thuhet: Pse Allahu nuk na i tregoi kohën kur do të ndodhë Kiameti?

Themi: Urtësia e kërkon që koha se kur do të ndodhë kiameti të mbahet e fshehur.

Pra, ekziston një urtësi e madhe në fshehjen e kohës se kur do të ndodhë kiameti! Njësoj sikurse ka urtësi në fshehjen që Allahu i ka bërë kohës se kur do t’i vijë vdekja njeriut.

El-Alusi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Allahu e ka fshehur kohën e ndodhisë së Kiametit sepse urtësia dhe arsyeja legjislative e kërkojnë që kjo të jetë kështu (e fshehur), sepse është më e efektshme në thirrjen e njerëzve që t’i binden Atij dhe më efikase për t’i penguar nga kundërshtimi (mëkati). Në mënyrë të ngjashme Allahu e ka fshehur edhe jetëgjatësinë e secilit person. Ajetet tregojnë se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) nuk e dinte se kur do të ndodhë kijameti. Po, në terma të përgjithshme ai e dinte se koha e kijametit ishte afër dhe Pejgamberi [ﷺ] na tregoi për këtë.

“Kështu që besimtarët duhet të kenë frikë nga ajo Ditë dhe frika e tyre duhet t’i bëjë të vetëdijshëm se Allahu është gjithnjë duke i parë për atë që bëjnë. Prandaj duhet t’i përmbahen asaj që është e vërtetë dhe të kërkojnë atë që është e mirë, t’i frikësohen së keqes dhe mëkatit dhe jo t’a kthejnë çështjen e Kijametit në qendër të mosmarrëveshjeve dhe polemikave.” Tefsir el-Menar.

Prej mëshirës së Allahut ndaj krijesave të Tij është se u ka treguar atyre për shenjat që sinjalizojnë afrimin e Kiametit, në mënyrë që kjo t’i motivojë në kreyrjen e veprave të mira, në devotshmëri dhe në shmangien prej haramit. Sa herë që ata shohin njërën prej shenjave (të kiametit) duke u realizuar, frika e tyre nga Kiameti dhe tmerret e tij shtohen. Bindja se kiameti është afër bëhet më prezente, kështu që ata përgatiten për atë ditë duke bërë më shumë vepra të mira.

Allahu i Lartësuar thotë: “A presin ata (diçka) tjetër përveç Kiametit që t’u vijë papritmas? Por disa nga shenjat e tij (indikacionet dhe shenjat) tashmë kanë ardhur.” Muhamed: 18

I Dërguari i Allahut [ﷺ] ka thënë: “Shpejtoni të bëni vepra të mira para se të ndodhin gjashtë gjëra: lindja e diellit nga perëndimi , tymi, Dexhali, Kafsha e tokës, ajo që do t’i vijë secilit prej jush (vdekja), dhe ajo që do t’i prekë të gjithë (Kiameti).” [1]

Kjo do të thotë: Paraprijini gjashtë shenjave që tregojnë për afrimin e Kijametit, nxitoni të bëni vepra të mira para se të ndodhin sepse veprat e mira që bëhen pasi këto shenja të shfaqen nuk do të pranohen dhe nuk do të meren në konsideratë.

Fjala e Profetit: “Ajo që do t’i vijë secilit prej jush vetëm” – i referohet vdekjes. “Ajo që do ti prekë të gjithë” – ka për qëllim Kiametin.

Kadi Ijad (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ai (Pejgmaberi) i urdhëroi të shpejtojnë në bërjen e veprave të mira para se të ndodhin këto shenja, sepse kur të vijnë njerëzit do të stepen dhe do të hutohen nga veprat e mira, ose do t’u mbyllet dera e pendimit dhe e pranimit të veprave.

El Alai ka thënë: Qëllimi i këtyre transmetimeve është të na inkurajojnë të fillojmë të bëjmë vepra të mira para se të vdesim, dhe të shfrytëzojmë kohën më të mirë para se të sulmojë fatkeqësia.

Përshtati: Fatjon Isufi

—————————

[1] Muslimi (2947)