Pyetja:

Pse nuk ka të dërguare (ose pejgambere femër), por të gjithë kanë qenë meshkuj? A mos tregon kjo një lloj diskriminimi që mund të ketë Islami ndaj femrës?

***

Përgjigjja:

Së pari, më duhet të rikonfirmoj se vërtet pejgamberët e Allahut kanë qenë vetëm burra, dhe nuk është dërguar asnjë pejgamber grua. Kjo kuptohet edhe prej fjalëve të të Lartmadhërishmit:

Ne edhe para teje nuk dërguam tjetër pos burra, të cilëve u dhamë shpallje, e nëse nuk dini këtë, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm.” (Enbija: 7)

Në këtë ajet, qartë theksohet se të gjithë të dërguarit e Allahut para Muhamedit ﷺ kanë qenë burra, e jo gra. Forma e përkufizimit në gjuhën arabe “nuk dërguam përveçse burra”, në ajetin e përmendur, e vërteton këtë konstatim.

Së dyti, kur jemi te fjala diskriminim, e cila ka një përdorim të gjërë në kohën tonë, më duhet të theksoj se kjo fjalë përdoret mjaft, por përdoret me vend e pa vend, dhe ajo që është me rëndësi të përmendet, kjo fjalë përdoret vetëm në kontekst të kuptimit të saj në kulturën perëndimore, të formësuar pas revolucionit francez, ashtu që nuk merret parasysh kuptimi i kësaj fjale në kontekst të kulturave tjera, gjë që është gabim. Nuk do të thotë se diçka përdoret nga perëndimorët, dhe vetëm ajo që thonë ata është e vërtetë. Realisht duhet bërë dallim në mes zhvillimit teknologjik të perëndimit dhe kontekstit kulturor. Nëse popujt tjerë janë pas perëndimit në aspektin teknologjik, nuk do të thotë se janë pas tyre në aspektin kulturor. Poashtu, nëse ata kanë arritur mjaft në aspektin teknologjik, nuk do të thotë se kanë të drejtë në çdo gjë që e thonë edhe në aspektin kulturor. Në këtë kontekst duhet parë edhe fjalën diskriminim. Jo çdo gjë që kultura perëndimore e quan diskriminim, në këtë rast diskriminim të femrës, është vërtetë diskriminim. Jo, nuk është ashtu. Ka gjëra që ata i quajnë diskriminim, e në fakt ato nuk janë diskriminim, por në të kundërtën, mbrojtje e pozitës së gruas nga devalvimi.

Realisht, nuk eshte diskriminim per femrën, nese nuk eshte e futur në çdo gjë, ngase natyra e saj dallon nga natyra e burrit. Nëse e kursen femrën nga disa punë të rënda, nuk do të thotë se e ke diskriminuar. Femra ka natyrë të butë dhe nuk mund ti përballojë të gjitha gjërat si meshkujt. Kjo është e vërtetuar dhe nuk është diskriminim nëse nuk futet në gjëra të tilla.

Kur jemi te diskriminimi, më duhet të theksoj edhe atë se diskriminimi mund të ndodhë mes krijesave, pra njëra palë ta diskriminojë palën tjetër, por diçka e këtillë nuk ndodh mes Krijuesit dhe krijesës. Nuk ka pse Krijuesi ta diskriminojë krijesën që e ka falur vetë. Pejgamberët i ka dërguar Allahu i Madhërishëm, e jo njerëzit, për atë edhe vendimi i të Lartmadhërishmit për të dërguar vetë burra për pejgamberë, padyshim është vendim i drejtë, i urtë dhe assesi nuk është diskriminues për femrën. Femra e cila e beson Allahun e Madhërishëm, kur e kupton se kështu ka vendosur Allahu, e kupton këtë nder dhe respekt, e jo diskriminim, ngase ky është vendimi i Krijuesit të Cilit ajo i bën adhurim.

Poqese e shikojmë këtë çështje në kontekst shoqëror, do të shohim se Allahu i Madhërishëm e ka kursyer femrën që nuk e ka dërguar pejgamber për një mision tjetër shumë human në shoqëri, gjegjësisht ia dha asaj rolin e edukimit të brezave të ri. Nëse femra kishte qenë pejgambere, kush do t’i edukonte fëmijët, ngase babai punon jashtë shtëpisë për sigurimin e kafshatës së bukës dhe nevojave tjera të prëditshme.

Nëse shihet kjo çështje nga aspekti i pejgamberisë dhe angazhimeve e sfidave, do të shihet se vërtetë femra nuk është për këtë mision. Pejgamberia sa është privilegj për njeriun e zgjedhur nga Allahu për këtë mision, është edhe përgjegjësi, mundim dhe lodhje. Pejgamberët e Allahut kanë qenë të malltretuar, të munduar, të persekutuar, dhe mbi ta është ushtruar dhunë nga jobesimtarët. Ibrahimi alejhis-selam u hodh në zjarr, edhe pse zjarri nuk e dogji; Jusufi alejhis-selam u hodh në bunar, pastaj u mbyll në burg; Musai alejhis-selam hoqi shumë me Beni Israilët, e kështu me radhë. Pra, të gjithë pejgamberët kanë patur historinë e vet të mundimeve dhe lodhjes që ua kanë shkaktuar popujt e tyre. Bile, disa prej tyre edhe i kanë vrarë. E gjithë kjo nuk mund të përballohet nga gruaja, e cila ka natyrë më të butë dhe më të ndjeshme se të burrit. Marrë parasysh këtë, mosdërgimi i pejgamberëve femra do të thotë mbrojtje dhe kursim i femrës nga mundimet, e jo diskriminim i saj.

Femrat i kanë edhe të përmuajshmet e tyre, kur pësojnë edhe ndryshime në disa sjellje dhe në reagim, gjë që është e patolerueshme për pejgamberin. Bile, në sheriatin e të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit ﷺ, femra me të përmuajshme nuk mund të falet, nuk mund të agjërojë dhe as të lexojë Kuran. Çka do të ndodhte sikur të ishte pejgamber dhe të mos e lexonte librin që i është shpallur!?

Po, femrat janë edhe nëna, ato lindin fëmijë. Çka do të ndodhte sikur femra të ishte pejagmber dhe të ngelej me barrë, si do t’i menaxhonte gjërat? Si do ta mbronte embrionin dhe pasi të lindte, kush do t’ia ruante fëmijën?

Pejgamberët kanë qenë të urdhëruar që të thirrin në fenë e Allahut në të gjitha gjendjet dhe rrethanat, haptazi dhe fshehurazi, në vende publike dhe shtëpi private, ditën dhe natën. Të gjitha këto janë jokompatibile për femrën, ngase si do të reagonin njerëzit, nëse femra si pejgambere shkonte në mbrëmje te dikush, hynte në shtëpinë e tij për ta thirrur në fenë e Allahut. Do t’i ngjitnin lloj-lloj akuzash.

Poashtu, që është edhe më e prekshme, armiqësia ndaj pejgamberëve është manifestuar në disa forma: rrahje, maltretime, vrasje, sharje, fyerje, etj. Në rastin e femrave, kjo do të manifestohej edhe me dhunim. Paramendo, si do të pranohej një femër pejgambere të cilën e kanë dhunuar.

Së këtejmi, është vërtet i drejtë dhe plotësisht i logjikshëm dhe jodiskriminues, bile edhe për një jomusliman që logjikon drejt, vendimi i Allahut që pejgamberët të jenë burra e jo gra.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu