Pyetja:

Para dy vjetësh jam njohur me një djalë i cili ishte namazli. Pas një kohe erdhi tek babai, i cili po ashtu i fal pesë vaktet. Mirëpo filloi që për çdo gjë të gënjente. Kam menduar të fejohem me të. Mirëpo ai s’ishte i sinqertë, një ditë më braktisi. Si mundet ta thyejë besën e Zotit një njeri i cili është betuar përpara një njeriu?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Motër, kjo është si rezultat i mosnënshtirimit tënd ndaj urdhrave të Allahut të Madhëruar sepse Allahu i Madhëruar e ka ndaluar që të kalojnë meshkujt me femrat. Allahu i Lartësuar ka thënë:
Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” (Isra: 32)
Kurse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dy sytë bëjnë amoralitet dhe amoraliteti i syve është shikimi, duart bëjnë amoralitet dhe amoraliteti i duarve është prekja.” [1]

Na është ndaluar neve të shikojmë apo të prekim gjinitë e ndryshme. Gjithashtu Islami e ka ndaluar edhe të shikojmë gjinitë e ndryshme. Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar meshkujt që të ulin shikimin e tyre: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre.” (EnNur: 30)
Gjithashtu i ka urdhëruar femrat të ulin shikimin e tyre: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt” (EnNur: 31)
Kjo nënkupton se shikimi është një shtytje për amoraliet.

Pastaj Allahu i Madhëruar na ka ndaluar edhe të vetmohemi me gjini të ndryshme. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos të vetmohet një mashkull me një femër përveç nëse ajo ka një mahrem me vete.” [2]
Kur Allahu i Lartësuar na ka ndaluar që të prekim dorën apo trupin e gjinisë të ndryshme, po ashtu na ka ndaluar të vetmohemi me ta dhe na ka obliguar të ulim shikimin. E si motër pas të gjitha këtyre argumenteve një mulsiman, siç thua ti për atë djalin, se ka qenë musliman i mirë, si ka mundësi që një musliman i mirë të pranojë të kalojë me një femër? Po ashtu, edhe ti oj motër muslimane, si të pranosh t’i bësh mëkat Allahu të Lartësuar duke kaluar me një djalë pa u martuar me të?!

Kjo çka të ka ndodhur motër është për shkak të mëkateve të tua, sepse Allahu i Lartësuar nuk e ndalon asnjë send pa arsye apo ndonjë urtësi dhe kjo është një ndër urtësitë e Allahut se pse e ka ndaluar që të kalojnë meshkujt me femra.

Së fundi motër, të këshilloj që të pendohesh te Allahu i Lartësuar nga kjo vepër dhe mos të kalosh me askënd. Martohu ashtu siç na ka obliguar Allahu i Lartësuar dhe këtu do ta gjesh lumturinë, sepse lumturia nuk gjendet në aventura dhe harame.

Eroll Nesimi

———————

[1] Muslimi

[2] Buhariu dhe Muslimi