Pyetja:

Cilat janë rregullat e synetisë në Islam?

***

Përgjigjja:

Synetimi (rrethprerja) i fëmijëve është njëri prej obligimeve që kanë prindërit ndaj fëmijëve meshkuj. Akti i synetimit është i lashtë që nga koha e Ibrahimit alejhi selam. Pejgamberi ynë ﷺ synetimin e konsideron në mesin e gjashtë suneteve të natyrshmërisë. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka, disa dijetarë islamë (fukaha) synetimin e klasifikojnë në kategorinë e vaxhibit (obligueshmërisë).

Falja e namazit në Islam kushtëzohet me pastërti, prandaj synetimi ka rëndësi të veçantë në mbajtjen e pastërtisë personale. Me fjalë të tjera, mund të themi që synetimi është parapërgatitja e fëmijës për marrjen e përgjegjësive fetare kur hyn në moshën madhore. Për ta kuptuar rëndësinë e synetimit vlen të merren për bazë edhe dobitë shëndetësore që janë konfirmuar nga zbulimet e mjekësisë bashkëkohore.

Me kryerjen e aktit të synetisë në Islam nuk është paraparë ndonjë ceremoni e veçantë siç është traditë tek ne, si organizimi i ahengjeve, gostive etj.. Organizmi i ahengjeve të veçanta ishte traditë e osmanlinjve që ka depërtuar edhe tek ne. Nuk ka asgjë të keqe nëse gjatë aktit të synetimit të ftohen mysafirë e të shtrohet ushqim, nëse nuk bëhen teprime dhe nëse nuk shkelen rregullat e Islamit. Organizmi i banketeve me harxhime të tepërta, përdorimi i alkoolit dhe muzikës, përzierja e burrave dhe grave në ahengje konsiderohet shkelje e rëndë e parimeve të Islamit, andaj si të tilla janë të ndaluara rreptësisht.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi