Pyetja:

Jam student që studioj jashtë tokave shqiptare dhe kam kontakte dhe me një njeri që dikur është falur, po që tani nuk falet më vetëm se për xhuma apo Bajram. Si duhet të veprojë me të për ta kthyer të falet pasi ka më shumë se 2 vjet që e ka ndërprerë faljen?

***

Përgjigjja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Njerëzit e tillë, që faleshin më herët pastaj e lënë atë, vërtetë kanë nevojë për një trajtim të veçantë dhe të jesh i sigurtë se nëse arrijmë ta qëllojmë metodologjinë e zgjedhur, atëherë shumë lehtë arrijmë të ndikojmë tek ata. Mirëpo gjithashtu është me rrezik nëse ndodh e kundërta, zgjedhim metodologji të gabuar, atëherë ka mundësi që ai të shkojë edhe më largë se lënia e namazit dhe të mohojë këtë dispozitë apo ta zhvlerësojë atë. E kjo është edhe më e rrezikshme se lënia e namazit.

Ajo me të cilën do t`ju kishim porositur, së pari, është që ti të jesh i mirësjellshëm, të mundohesh t`iu gjendesh të tillëve në situata në të cilat kanë nevojë për ndihmë. Kjo të jep mundësinë që të fitoni dashuri dhe respekt nga ta. Këto dy gjëra konsiderohen si elemente kryesore që të ndikoni te të tjerët dhe të bëni që fjala juaj të ketë peshë tek ata.

Pastaj, duhet sqaruar rrezikun e madh që ju kanoset të tillëve, ngase këta pas udhëzimit, e kanë zgjedhur devijimin. Dhe në fund, tentoni t’i largoni nga shoqërimi me shokë të cilët kanë ndikuar në këta njerëz ta lënë namazin.

Gjithashtu, ju këshillojmë që të bëni dua për të, pasi me anë të lutjes njeriu mund të ndryshoj shumë gjëra.

Alaudin Abazi