Do ju isha shumë mirënjohës për përgjigjen tuaj ndaj pyetjes sime në lidhje me edukimin seksual në kurrikulën shkollore. Kur dhe si duhet t’u prezantohet ky material nxënësve tanë? Ju lutem përgjigjuni, sepse jam duke punuar në një projekt.

Përgjigje:
Falënderimi i takon Allahut, ndërsa salevatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi sahabet dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë këtë Pejgamber deri në Ditën e Gjykimit.

Edukimi seksual si studim dhe praktikë ndahet në dy lloje:

  1. I lejuar (i ligjshëm)
  2. I ndaluar (i paligjshëm)

Edukimi seksual në kontekstin e lejuar përfshin çështje që lidhen me çiftin e martuar, siç janë: lidhja e kontratës së martesës, kushtet e saj, mehri i specifikuar dhe i paspecifikuar, mehri i menjëhershëm dhe i vonuar, shpallja e martesës dhe propozimi. Gjithashtu, përfshin atë që një pretendent mund të shohë nga trupi i të fejuarës dhe atë që nuk i lejohet, etikën e martesës dhe kufijtë e lejuar dhe të ndaluar.

Po ashtu, edukimi seksual përfshin të drejtat dhe detyrimet e burrit dhe gruas, rregullat në rast të mosbindjes së njërës palë, dispozitat mbi marrëdhënien bashkëshortore dhe ndarjen e netëve me bashkëshortet e tjera (në rast të poligamisë). Përfshin gjithashtu të drejtat e bashkëshortëve mbi fëmijët, rregullat mbi planifikimin familjar dhe kontracepsionin, njohjen e kujdestarisë së burrit dhe mënyrën e përdorimit të saj.

Në këtë kontekst, edukimi seksual përfshin edhe rregullat mbi menstruacionet, lehoninë, gjendjen e papastërtisë pas marrëdhënieve intime (xhunub) dhe defektet që mund të japin të drejtë për ndarje. Po ashtu, trajton rregullat e divorcit, kërkesën për divorc nga gruaja, gjidhënien, fenomenin e “zihar” dhe “lian”. Gjithashtu, përfshin rregullat për atë që një mashkull mund të shohë te gratë e familjes me të cilat nuk mund të martohet (mahramet e tij).

Edukimi seksual në kontekstin e ndaluar përfshin çështje si: zinaja (marrëdhënia jashtëmartesore), masturbimi, shikimi i grave të huaja në mënyrë të ndaluar dhe rastet kur është e lejuar të shikohen për nevoja të caktuara. Gjithashtu, përfshin marrëdhëniet anale, marrëdhëniet gjatë menstruacioneve, përzierjen e pakufizuar mes gjinive dhe qëndrimin në vetmi me një grua të huaj.

Prandaj, edukimi seksual në kontekstin e parë (të lejuar) duhet të shpjegohet me detaje në kurrikulën shkollore, duke marrë parasysh moshën dhe situatën e nxënësve. Kurse edukimi seksual në kontekstin e dytë (të ndaluar) duhet të shpjegohet në mënyrë të ndershme dhe me fjalë të përshtatshme.


Po ashtu edukimi seksual në kontekstin e dytë (të ndaluar) mund të shpjegohet vetëm për grupmosha më të rritura, varësisht prej kontekstit, nivelit të përhapjes së dukurive negative, dhe metoda duhet të bëhet në mënyrë të ndershme, me fjalë të përshtatshme, si kapitull dhe temë e veprave të devijuara, moraleve të pa pranuara, gjëra që përbëjnë degjenerim dhe nga të cilat duhet mbrojtur.

Allahu e di më së miri.

Burimi: https://www.islamweb.net

Solli në gjuhën shqipe: pergjigje.net