Pyetja:

Shumë njerëz kanë formuar bindjen dhe thonë se njeriu mund të bëjë çfarëdo të keqe dhe pastaj të pendohet, pra para se të veprojë një mëkat vendos që pas bërjes së mëkatit do të pendohet dhe Allahu e fal atë. A është në rregull kjo?

***

Përgjigjja:

Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar robërit e Tij që të pendohen me sinqeritet. Ai thotë:

Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (Nur: 31)

O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’ju shpjerë në xhenete nën të cilët rrjedhin lumenj, në ditën kur Allahu nuk e turpëron Pejgamberin, e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna ne. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send.” (Tahrim: 8)

Po ashtu Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] na ka urdhëruar me pendim duke thënë: “O ju njerëz, pendohuni tek Allahu, ngase unë pendohem njëqind herë gjatë ditës.”[1]

Pendimi prej mëkateve është adhurimi më i mirë me anë të të cilit mund t’i afrohemi Krijuesit tonë, prandaj akti i pendimit në Islam zë një vend të veçantë, ngase besimtarit i jepet çdo herë mundësia për përmirësim. Thelbi i pendimit është urrejtja e mëkatit të kryer, keqardhja, largimi apo distancimi nga ai mëkat si dhe vendosmëria për mospërsëritjen e tij. Allahu i Madhëruar duke përshkruar gjendjen e atyre që pendohen prej mëkateve thotë:

“Edhe ata, të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i fal mëkatet përveç Allahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen). Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhenetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e aty do të rrinë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë.” (Ali Imran: 135136)

Dëshirojmë t’i përkujtomë pyetësit se vetë deklarimi i tij se do të bëjë mëkat e pastaj do të pendohet, është mëkat më vete, ngase ne do të japim llogari para Krijuesit tonë si për veprat, ashtu edhe për fjalët tona. Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ia ka falur umetit tim atë që e mendojnë në vete, përderisa nuk e flasin publikisht apo nuk e veprojnë.” [2]

Po ashtu deklaruesi, i cili shprehet se do të bëjë mëkat e pastaj do të pendohet, si duket nuk është i vetëdijshëm se ndoshta nuk do të ketë mundësi të pendohet, për shkak të zhytjes në mëkate deri në atë masë sa të mos jetë në gjendje të kuptojë se është duke bërë mëkate, si pasojë e dobësisë së imanit dhe vdekjes së zemrës. Në anën tjetër, kush i garanton atij se vdekja nuk do t’i vijë para se ai të ketë mundësi të pendohet e për pasojë ta përfundojë jetën e tij me përfundim të keq? Allahu i Madhëruar thotë:

Ne i rrotullojmë zemrat dhe të parët e tyre (prej besimit) ashtu sikundër nuk e besuan atë (Kur’anin) për herë të parë dhe i lëmë të bredhin të hutuar në atë mashtrimin e tyre.” (En’am: 110)

Në lidhje me këtë ajet, Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Frika e njeriut se mos e gjen vdekja duke bërë mëkate është dituria më e rëndësishme, ngase mëkatet mund t’i pamundësojnë përfundimin e mirë… për këtë arsye gjejmë se selefët -muslimanët e parë- kanë pasur frikë se mos mëkatet bëhen pengesë për përfundimin e mirë të jetës së tyre.” [3]

Nga gjithë ajo që u përmend deri tani, mund të arrijmë në përfundimin se bindja e disa njerëzve se mund të bëjnë mëkate qëllimisht me vetëdije dhe pastaj të pendohen është bindje e gabuar, e cila bazohet në pasimin e epsheve dhe pasioneve, e cila në vetvete përmban mashtrim dhe hipokrizi të qartë. Kjo bindje është si pasojë e mosnjohjes së realitetit të fesë së Allahut në përgjithësi dhe mosnjohje e realitetit të pendimit në veçanti, ngase thelbi i pendimit është sinqeriteti. Nëse sinqeriteti mungon, atëherë pendimi është i pavlefshëm. Çdokush që ka bindje të këtillë duhet të pendohet sinqerisht ngase kjo bindje i hap rrugë bërjes së shumë mëkateve, kurse i Gjithëmëshirshmi na fton çdoherë në pendim. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ai është që pranon pendimin e robërve të Vet dhe shlyen të këqijat dhe e di çka punoni.” (Shura: 25)

“Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë. Ai që është penduar dhe ka bërë mirë, në të vërtetë, ai është kthyer tek Allahu dhe është i pranishëm.” (Furkan: 7071)

Në anën tjetër, nëse deklaruesi i kësaj fjale nuk e bën atë mëkat që ka vendosur ta bëjë, apo që i ka shkuar mendja ta bëjë, por për shkak të frikës dhe respektit ndaj Allahut xh.sh. e ka lënë, atëherë pa dyshim për mosbërjen e mëkatit atij do t’i shënohet shpërblimi në regjistrin e veprave të tij. Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu thotë (duke iu drejtuar melekëve): “Kur robi Im synon të bëjë një të keqe, mos e regjistroni atë derisa ta veprojë. Kur ta veprojë, regjistroni aq sa ka bërë. Nëse e braktis për hir Timin, regjistroni për të një të mirë. Kur robi Im synon të bëjë një të mirë, mirëpo nuk e vepron, regjistroni për të një të mirë, e nëse e vepron regjistroni për të dhjetë të mira deri në shtatëqind.” [4]

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

—————————

[1] Muslimi, nr. (2702) 42.

[2] Buhariu, nr. 5269; Muslimi, nr. (127) 201.

[3] El-Xhevab el-Kafi – Ibën Kajjim, 167.

[4] Buhariu, nr. 7501; Muslimi, nr. (128) 203.