Pyetja:

Nëse një person agjëron, d.m.th. nuk ha, nuk pi dhe nuk bën ndonji veprim tjetër që e prish agjërimin sipas fesë. Mirëpo, i njejti shan, fol fjalë të liga, etj. Ky person, a duhet ta agjërojë përsëri muajin e Ramazanit dhe a e prish agjërimin me këto gjëra?

***

Përgjigjja:

Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëlartë përkitazi me agjërimin ka thënë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (Bekare, 183)

Ajeti në fjalë qartë tregon se agjërimi mëton të formojë një personalitet të kompletuar besimtar, musliman që do ta pastrojë zemrën e tij nga të ligat e zemrës, e po ashtu edhe me vepra do të jetë zbatues i denjë i urdhërave të Allahut. Për rëndësinë dhe funksionin e agjërimit në pastrimin e karakterit të njeriut flasin edhe shumë hadithe.

Ne nuk kemi ndërmend këtu të zgjerohemi në përmendjen e tyre, por do ta cekim sa për ilustrim hadithin: ”Kush nuk i len fjalët e këqija dhe veprat e liga, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai ta len hajen dhe pijen”.

Bazuar në këtë që u tha, personi i cili agjëron nga ushqimi, por nuk i len fjalët e këqija dhe sharjet, ka dështuar në shfrytëzimin e mirësive të agjërimit. Ky nuk duhet të agjërojë edhe një herë, pasi juridikisht e ka kryer obligimin, mirëpo nuk ka marrë shpërblime të cilat Allahu i jep për agjëruesit ngase e ka djegur të drejtën për të shfrytëzuar diçka të tillë me atë që nuk është ndalur nga fjalët e këqija. Besimtari nuk duhet të agjërojë vetëm duke mos hëngër e mos pi, por edhe duke mos folur fjalë të këqija dhe duke mos bërë vepra të liga. Allahu na forcoftë në të vërtetën.

Dr. Bashkim Aliu