Pyetja:

Si ndahet mishi i Kurbanit?

***

Përgjigjja:

Për ndarjen e mishit të kurbanit na tregon vetë Allahu në Kuran ku thotë: “Hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp…” (Haxh: 36)
Ajeti kuranor na tregon se një pjesë e ndan për vete, një pjesë ua jep njerëzve në nevojë të cilët lypin dhe pjesën tjetër atyre njerëzve të cilët nuk lypin.  Ka plot njerëz që janë në nevojë por nuk e shtrinë dorën dhe e kanë të vështirë të lypin, andaj nëse arrin të njohësh njerëz të tillë mund tu japësh dhe atyre një pjesë nga mishi i kurbanit. Gjithashtu te kategoria e tretë e përmendur në ajetin kuranor futen dhe njerëz të farefisit edhe fqinjët, pa marrë parasysh se kanë nevojë ose jo. 

Ndërkohë në një hadith profetik thuhet: “Hani (prej mishit të kurbanit), ruani (depozitoni) prej tij për më vonë dhe jepni sadaka!” [1] Sipas këtij hadithi, besimtari mund të hajë prej mishit të kurbanit gjatë atyre ditëve,por edhe mund të ruaj një pjesë të mishit për  më vonë dhe pjesën tjetër e jep sadaka. Pra siç shikojmë në ajetin kuranor dhe hadithin profetik nuk përcaktohen në formë të detajuar kategoritë, por mund ta ndajë mishin sipas asaj që ai e shikon të arsyeshme. Në të njëtën kohë kur shikojmë se ndarja e kategorive ku mund të ndahet mishi nuk ëhstë fikse, atëherë dhe sasia gjithashtu nuk është diçka fikse. Pra lejohet që pjesët e ndara të jenë të barabarta ose jo.

Përshtati: Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

————————————

[1] Muslimi